Mjerim ekstrem në Elbasan/ Shteti lë në mëshirë të fatit dy të moshuarit dhe djalin e sëmurë

0
2

Dy të moshuar dhe djali i tyre i sëmurë jetojnë në mjerim ekstrem në lagjen “Aqif Pasha” në Elbasan, mes varfërisë, sëmundjes dhe mungesës totale të kushteve minimale për jetesë.

Gazetarët e emisionit investigativ Fiks Fare, gjatë një vizite në banesën e familjes, gjetën vetëm zonjën e shtëpisë, Lulietën, 75 vjeçe.

E kërrusur, me vështirësi të theksuara në lëvizje dhe në gjendje të rënduar shëndetësore, ajo mezi qëndronte në këmbë, ndërsa çdo hap ishte një përpjekje e dhimbshme.

Banesa ku jeton familja është thuajse e shkatërruar, e ftohtë, e ndotur dhe pa asnjë kusht minimal që mund të quhet shtëpi. Në vend të një sobe të ndezur, në dhomë ndodheshin vetëm dy tigane bosh dhe disa copa druri. Në një tenxhere kishte vetëm ujë. Në dysheme shiheshin dy bidona me ullinj dhe disa rroba të hedhura përtokë. Një divan i vjetër prej druri shërben si vend fjetjeje për të gjithë familjen.

Lulieta tregon se bashkëshorti i saj kishte dalë për të siguruar drekën, të cilën shpesh e marrin në ndonjë qendër ndihme. Për djalin e tyre ajo shprehet se nuk e di ku ndodhet, ndërsa për shëndetin e tij thotë shkurt: “Është mirë”. Por banorët e lagjes pohojnë se djali është i sëmurë dhe në gjendje të rëndë shëndetësore.

E pyetur se me çfarë mbulohen gjatë natës, e moshuara tregon se kanë një dhomë tjetër, e përdorur si magazinë. Por aty gazetarët nuk gjetën asnjë batanije apo dyshek. Tualeti ndodhet jashtë banesës, i shkatërruar, pa ujë dhe pa kushte minimale higjienike. Çdo rrobë në atë shtëpi ishte e papastër

“Çfarë të bëjmë…”, përgjigjet me dëshpërim Lulieta, kur pyetet se si ia dalin çdo ditë. Ajo tregon se natën e ndërrimit të viteve iu kishin sjellë ushqime të gatshme, por nuk di të thotë se nga kush apo çfarë ishin.

Pas interesimit të Fiks Fare në Bashkinë Elbasan, në banesë ka mbërritur edhe përgjegjësi i Shërbimit Social, Erald Gjeli, i cili ka inspektuar nga afër kushtet ekstreme ku jeton familja. Ai ka deklaruar se rasti do të trajtohet, duke theksuar se do të ndërmerren hapa konkretë për rikonstruksionin e banesës dhe për mbështetjen emergjente të familjes. Sipas tij, rasti është i njohur dhe familja është ndihmuar herë pas here me paketa ushqimore dhe ushqim në qendra sociale./ Emisioni Fiks Fare