“Morëm 2 makina të vjedhura”/ Nuredin Dumani rrëfen ekzekutimin e Bujar Çelës: Erdhi Alibej, e dija ku pinte kafe

0
2

I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka rrëfyer në gjyq detaje tronditëse për vrasjen e Bujar Çelës, duke zbuluar se si u organizua atentati dhe roli i personazheve të përfshirë, si Alibej dhe Julian Hoxhaj.

Dumani tregon se përgatitja e vrasjes përfshinte përdorimin e dy makinave të vjedhura dhe vëzhgimin e lëvizjeve të viktimës, duke zbuluar gjithashtu se Alibej kishte instaluar kamera në zonë për të monitoruar çdo lëvizje.

Rrëfimi i Dumanit tregon lidhjen e ngushtë me krimin dhe mënyrën se si veprimet e tij u mbështetën nga informacionet që vinin nga personat afër tij.

Dumani: Alibej vendosi edhe disa kamera në një pallat aty. Në vazhdimësi më sillte foto, përmes SKY.

 

 

Hasa: Çfarë marrëdhënieje kishte Alibeaj me Julian Hoxhajn?

Dumani: Shoqërore. Alibeaj e paguante për informacionet që i sillte Julian Hoxhaj. I jepte lekë. Njëherë më ka thënë Erioni që i ka dhënë 20 mijë euro.

Hasa: Kush të ndihmoi në vrasjen e Ramazanit?

Dumani: Informacion merrja nga Alibej, por kisha edhe Henrik Hoxhën, që dinte lëvizjet dhe makinat e Emiliano Ramazanit. Ne kishim informatorë, një instruktor palestre. Ajo na jepte informacion me telefon për lëvizjet e tij, kur ikte nga palestra.

Hasa: Kush e mori vendimin për vrasjen e Rigers Runajt?

Dumani: Erion Alibej e mori.

Hasa: Kur vendosët të vrisni Bujar Çelën dhe cila ishte arsyeja?

Dumani: Ishte vendosur më herët. Ato ditë po shikonim ku rrinte Dine Çami. Si duket ai kishte marrë masat. U vendos kur u vra shoku im i fëmijërisë, Klevis Kapllani, më 15 shtator, në mos gaboj. Lija mjetet e punës tek shtëpia e tij, pasi e njihja mirë zonën.

Më njoftoi Enver Diva se e kishin vrarë Kapllanin. Dola nga shtëpia e Arjan Spahiut dhe kam shkuar aty afër me Enverin dhe Xhixhën. Kaluam afër. E pamë makinën të qëlluar me plumba. Ikëm deri në Rrogozhinë dhe kur u kthyem, mora Alibeajn dhe i thamë se do e vrisja Bujar Çelën.

Me 16 në darkë, mos gaboj, shtator, u bëmë gati, morëm dy makinat që kishim në dispozicion, të dyja të vjedhura. Pritëm jashtë atë natë. Unë nuk kisha fjetur fare, që kur u vra Klevisi. I dija lëvizjet e Bujarit. Nga Elio e dija se ku pinte kafe çdo ditë.

Unë nuk i shkova tek shtëpia, por afër qëndroi Enver Diva dhe Besian Xhixha. Unë nuk doja të afrohesha në zonë. U duk sikur ranë në sy dhe lëvizëm drejt Cerrikut. Unë ju thashë: “Ore, ai do dalë për kafe”. Kthyem dhe pasi furnizuam mjetin me karburant shkuam dhe e gjetëm atje tek kafja.

Hasa: E ke njohur bashkëshorten e Xhulian Hoxhës?

Dumani: Po.

Hasa: Me çfarë komunikonit me Erionin dhe bashkëshorten e Xhulianit?

Dumani: Me SKY.

(Balkanweb)