“Morëm 50 mijë euro për vrasjen e Albi Bashaliut ne Peqin ”, i penduari i drejtësisë Tafani vijon rrëfimin përpara togave të zeza

0
2

Bashkëpunëtori i drejtësisë, Artan Tafani, është rrëfyer për herë të dytë para Gjykatës së Posaçme, duke dhënë detaje të reja mbi vrasjen e Albi Bashaliut. Në dëshminë e tij, e cila vjen pas asaj të një jave më parë, Tafani ka treguar me hollësi mënyrën se si u krye krimi dhe si u larguan nga vendngjarja.

“Pasi mbaruam punë, makina nuk na ndizte. E dogjëm atë. Më pas shkuam te vendi ku kishim lënë makinën tjetër për t’u larguar. Fshiva timonin që kisha prekur dhe nisa të vrapoja drejt rrugës kryesore. U nisëm për në Tiranë dhe lamë Benz-in në zonën e Astirit. Donim të shmangnim lëvizjen nëpër lagje, kështu që ecëm në këmbë. Makinën tjetër e lamë te rreth-rrotullimi i Astirit,” – ka deklaruar Tafani.

Ai ka rrëfyer gjithashtu se pagesa për vrasjen ishte bërë menjëherë pas ngjarjes.

“Fillimisht morëm 30 mijë euro nga pagesa për vrasjen e Albit. Nëse nuk gaboj, lekët m’i dha babai i Laertit, Qamili. Unë mora 20 mijë euro, 20 mijë të tjera i mori Lulzimi, ndërsa 10 mijë euro i mori Laerti. Më vonë morëm edhe një tjetër këst nga 10 mijë euro secili.”

 

 

Dëshmia e Tafanit pritet të shërbejë si provë kyçe në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe në përfshirjen e të tjerëve të dyshuar në këtë krim.