Gjykata e Posaçme ka dënuar me nga 3 vite burg Klajdi Zhillën dhe Geraldo Fuçien, ish-inspektorë të IKMT, të cilët akuzohen për korrupsion.
Në aplikim të gjykimit të shkurtuar atyre iu zbret në 2 vite. Gjykata vendosi që t’ua pezullojë burgun duke i dënuar me kusht që për 2 vite të mbajnë kontakt me shërbimin e provës.
Ata u ndaluan në muajin gusht të vitit 2025. Punonjësit e IMT-së u kallëzuan nga vetë pronari i lokalit, se i kishin ofruar një marrëveshje që të mos ia prishnin tendën, kundrejt 1 mijë eurove. Policia, me miratimin e SPAK-ut, nisi përgjimet dhe më pas simuloi dhënien e parave.
Në kohën kur 1 mijë eurot iu dorëzuan punonjësit Klajdi Zhilla, 3 kolegët e tjerë e prisnin brenda një lokali tjetër aty pranë. Policia ndërhyri menjëherë në lokal dhe në ato momente inspektorët i fshehën paratë në një gotë në banakun e lokalit.
Inspektori Klajdi Zhilla arriti të largohej me një automjet tip “Audi”, ndërsa 3 të tjerët u ndaluan. Prej tyre, në arrest në burg u la vetëm Geraldo Fuçia, si personi që kishte kërkuar ryshfetin, ndërsa Zhilla u shpall në kërkim pasi ishte ai që mori paratë nga pronari i objektit.
Dy të tjerët, një inspektor dhe menaxheri i lokalit, i cili dyshohet se ka ndihmuar në fshehjen e parave, po hetohen në gjendje të lirë.
Policia sekuestroi paratë që u gjetën në banakun e lokalit, të cilat korrespondonin me numrat serialë të kartëmonedhave që i dha kallëzuesi. Por, krahas tyre, u gjetën edhe 3 mijë euro dhe 27 mijë lekë, të cilat dyshohet se mund t’u jenë marrë subjekteve të tjera, në këmbim të mosprishjes së tendave pa leje.


