Policia e Tiranës ka arrestuar 40 vjecarin Fredi Keta, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “The Debt”, ai akuzohet për rrëmbim dhe shtrëngim për dhënie pasurie.
Fredi Keta, i cili rezulton banues në Tiranë, u kap nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative.
Sipas policisë në momentin e ndalimit, ai tentoi të mashtrojë policinë duke dhënë gjeneralitete të rreme.
Ndërkohë në korrik 2024, në bashkëpunim me shtatë persona të tjerë, Fredi Keta ka rrëmbyer Ervis Xhixhën dhe e ka kanosur atë për t’i marrë një shumë parash prej 70 mijë eurosh. Më herët, në korrik, u arrestuan katër prej bashkëpunëtorëve të tij, ndërsa tre të tjerë u vendosën në arrest shtëpie.
Gjykata e Tiranës kishte vendosur ndaj Fredi Keta masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, të kryera në bashkëpunim. Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.