“Mos keqpërdor raportet e BE”, Gonzato përplaset keq me Xhafajn dhe i vë kufirin te thana: Reforma në drejtësi nuk preket!

0
45
  • Fatmir Xhafaj dhe ambasadori i BE debate dhe kunja për komisionin që drejton deputeti socialist…

Fatmir Xhafaj ka marrë sot shuplakën e parë serioze nga ndërkombëtarët, mbi planet e tij për të hedhur në erë reformën në drejtësi. Ai që cilësohet si “arkitekti i reformës”, tani ka marrë përsipër të zhbëjë atë që u ndërtua me aq mund dhe me aq kosto. Por duket se nuk do ta ketë aspak të lehtë, për sa kohë në lojë janë ndërkombëtarët.

SHBA dhe BE kanë qenë të prera në qëndrimet tyre gjithë këto javë, pasi kanë kërkuar që komisioni të jetë i plotë, pra dhe me anëtarët e opozitës, si dhe të mos prekë drejtësinë.

Mirëpo edhe sot Fatmit Xhafaj ka vijuar me teoritë e tij, por i ngeci sharra në gozhdë. Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) publikoi sot raportin vjetor krahasues 2020 – 23 mbi punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Gjykatave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Aty ishin si Xhafaj, ashtu dhe ambasadori i BE, Silvio Gonzato, të cilët patën përplasje të forta mes tyre.

Fillimisht ishte Xhafaj që tentoi të justifikojë punën e komisionit të tij. “Pavarësia në vendimmarrjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mund të jetë këmishë force për të mos u gjykuar për përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe transparencën. KZ do të ishte një gabim i madh”, tha Xhafaj

Gonzato e bëri të qartë se cenimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë është vija e kuqe që politika shqiptare nuk duhet të kalojë.

Pa institucione të pavarura të drejtësisë, nuk ka drejtësi të pavarur. Kriteret si përgjegjshmëria dhe transparenca nuk mund të përdoren me koston e pavarësisë së tyre dhe mendoj se ka mekanizma të brendshëm, që institucionet e drejtësisë t’i rrisin këto dy cilësi”, tha Gonzato.

Mirëpo Xhafaj këmbënguli me idenë që Kuvendi të rrisë kontrollin ndaj institucioneve të pavarura. Madje ai përmendi dhe raportet që ka nxjerrë BE mbi rolin e Kuvendit.

Institucionet e drejtësisë nëpërmjet raportimit në Kuvend që është detyrim kushtetues dhe ligjor përmbushin një pjesë të këtij detyrimi që ka, por besoj që është e pamjaftueshme. Besoj se  do të duhet se bashkë me institucionet e drejtësisë , shoqërinë civile të shohim mekanizma se si mund ti fuqizojmë mekanizmat që njeh kushtetuta dhe ligji dhe se si mund të shtojmë mekanizma të reja që janë në funksion të përgjegjshmërisë, llogaridhënies dhe transparencës”, u shpreh Xhafaj.

Por Gonzato kërkoi të mos keqpërdoren raportet e Brukselit për të justifikuar qëllime të tilla. Ai ja bëri të qartë se nuk mund të përdoret parlamenti politikisht për të goditur drejtësinë dhe institucionet e pavarura.

Unë e di që në Raportin tonë të Progresit ose Raportin e Shqyrtimit të Legjislacionit, flasim për Parlamentin që të ushtrojë rolin e tij në mënyrë më adekuate, por kjo nuk ishte menduar të formulohej si ndryshim i kontrolleve dhe balancave aktuale ose ndryshimi i hierarkisë midis institucioneve të ndryshme. Ato synojnë thjesht të inkurajojnë Parlamentin që të ndjekë seriozisht ato diskutime që ai ka rregullisht me institucionet e pavarura të drejtësisë dhe institucione të tjera, dhe të ndjekë rekomandimet e bëra në raportet e këtyre institucioneve, duke marrë masat që nevojiten, duke përfshirë edhe masat buxhetore”, deklaroi ambasadori.

Studimi i publikuar sot vëren se ka rënë numri i çështjeve të reja hetimore për korrupsion gjatë vitit 2023, por është rritur ndjeshëm numri i të dënuarve, që janë gjykuar për korrupsion.

Statistikat tregojnë rritje të hetimeve nga ana e SPAK-ut në çështjet e krimit të organizuar, si dhe numri i të dyshuarve për këto krime.