Mosha e tretë rrezikon varfëri ekstreme, 48% e pensionistëve marrin pagesa të pjesshme

0
190

Pensionistët, që nuk përmbushin vitet e punës dhe nuk arrijnë të përfitojnë një pension të plotë pleqërie, po rriten me shpejtësi.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se, në vitin 2022 pensionistët me pagesë të pjesshme përbënë 48% të totalit të personave që përfitojnë pension pleqërie nga 45% me 2021.

Më 2022 në të gjithë vendin numëroheshin 481,420 përfitues të pensionit të pleqërisë nga të cilët 231,734 morën pagesa të pjesshme.

Numri i total i pensioneve të pleqërisë në vitin 2022 pësoi rritje vjetore me 4.6%, por ato me pensione të pjesshme u shtuan me 12%. Rritja më shpejtësi e përfituesve me pension të pjesshëm tregon se mosha e tretë rrezikon varfërinë e ekstreme, teksa inflacioni ka qenë i lartë dy vitet e fundit.

Skema e sigurimeve shoqërore lejon që të gjithë personat të cilët nuk i kanë plotësuar vitet e nevojshme të punës sipas ligjit, të përfitojnë pension të pjesshëm të pleqërisë. Çka do të thotë se ata do të marrin pensionin për aq vite pune sa kanë investuar në skemë, por jo më pak se 15 vite gjithsej.

Personat që kanë periudha sigurimi, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të pjesshëm të pleqërisë kur plotësojnë moshën 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë. Sipas ligjit për Sigurimet Shoqërore ata duhet të kenë jo më pak se 15 vjet periudha sigurimi dhe jo më shumë se 35 vjet periudha sigurimi dhe Të jenë tërhequr nga veprimtaria ekonomike.

Në njërën anë rritja e pensionistëve me pagesë të pjesshme ka lehtësuar skemën publike të pensioneve nga rritja e shpenzimeve, por nga ana tjetër po krijohet një problem i madh social me qëndrueshmërinë financiare të moshës së tretë.

Problematikat e tranzicionit dhe informaliteti i lartë në tregun e punës po bën që pensionet e reja të dalin në vlera më të ulëta, vit pas viti.

Ekspertët shpjegojnë se një masë e madhe e pensionistëve që hyjnë rishtas në skemë kanë punuar në të zezë dhe nuk plotësojnë kushtet për pension të plotë. Këtë ecuri e tregon edhe mosha mesatare e viteve të punës për pensionistë që dalin rishtas.

Ekspertët pohojnë se pensionet e reja kanë nisur të reflektojnë problematikën e tranzicionit, sidomos punës në të zezë. Personat, që kanë paguar sigurime në mënyrë të rregullt dhe plotësojnë kriteret, do të kenë të ardhura më të larta, se me ligjin e vjetër që zbatohej para vitit 2014. Por, personat që nuk kanë paguar kontribute, duket se do të vuajnë pasojat gjatë pensionimit, pasi pagesat me reformën e re të pensioneve, që nisi të zbatohet pas vitit 2014, bëhen në bazë të kontributeve.

Masa e pensioneve në vendin tonë është nën kufirin relativ të varfërisë me 6.7 USD në ditë rreth 201 USD në muaj.

Në vitin 2022 pensioni mesatar në qytet ishte 180 USD në muaj ose 90 për qind e kufirit të varfërisë, ndërsa pensioni mesatar në fshat ishte 105 USD në muaj ose 52 % e kufirit të varfërisë.

Sipas përcaktimeve të INSTAT, që bazohen në metodologji ndërkombëtare, një pensionist konsiderohet i varfër, nëse pagesa mujore është më pak se gjysma e pagës mesatare në shkallë vendi. Vitin e kaluar me 2022 pensioni mesatar në qytet arriti sa 44.4 për qind e pagës mesatare neto. MONITOR