Policia e Shtetit vijon të jetë në gatishmëri të përforcuar për shkak të motit të keq. Shërbimet e Policive Vendore, Patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat shkuan në ndihmë të banorëve, ku u kërkua ndihmë. Në zonat më problematike u angazhuan edhe Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe të Delta Forcës.
Edhe gjatë ditës së sotme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Dimal, ndërhynë menjëherë në fshatrat Çiflik dhe Arrëz, duke evakuuar 5 shtetas, ndërmjet tyre një të moshuar 100-vjeçe nga fshati Çiflik.
Shërbimet e Policisë në Devoll iu shkuan në ndihmë banorëve të fshatit Progër, Bashkia Devoll, pasi si pasojë e reshjeve të dendura ka pasur përmbytje. Prej mëngjesit, shërbimet policore të Devollit vazhdojnë kërkimet për gjetjen e një 75-vjeçareje nga fshati Progër, që është larguar nga banesa dhe vuan nga probleme të shëndetit mendor, e cila dyshohet se mund të jetë marrë nga rrjedha e ujit.
Ndërkohë, në të gjitha akset rrugore, Policia Rrugore ka shtuar prezencën për të parandaluar aksidentet rrugore dhe për t’ju ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës në nevojë.
Gjithashtu, specialistët e Policisë në zona janë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e fshatrave dhe administratorët e njësive administrative, për t’ju ardhur në ndihmë banorëve në rast nevoje.


