MOVIOLA| Java e parë e Superiores/ Start me gabime, arbitrat janë ende në “nxehmje”

0
195

Një start jo i mirë për gjyqtarët në Kate gorinë Superiore. Në katër nga pesë ndeshjet e zhvilluara të mërkurën ka pasur probleme, duke filluar nga penalltitë e padhëna, golat e anuluar me pa të drejtë, por edhe nga ata të lejuar që ishin në pozicione jashtë loje. Java e parë duket se i ka gjetur të papërgatitur arbitrat shqiptarë. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet për moviolë, ku disa ekipeve u është rënë në qafë për vendime të gabuara nga arbitrat kryesorë dhe anësorë.
TIRANA-KUKËSI
2-0 Gjyqtarët: E.Jorgji (kryesor), R.Çokaj dhe E.Ganxhi (anësorë), E.Hamiti dhe K.Kola (arbitra të linjës), A.Mahmuti (i katërt);

Tirana-Kukësi ka pasur vetëm një rast për moviolë. Bëhet fjalë për golin e parë të ndeshjes në minutën e gjashtë. Krosimi i Muçit nga këndorja në qendër të zonës, teksa Najdovski godet me kokë dhe e dërgon topin në rrjetë. Mirëpo, në trajektoren e topit që shkon në rrjetë është Uinful Kobina, i cili kërcen për të goditur topin. Pra, lojtari, paçka se nuk prek sferën, bëhet aktiv në aksion dhe teorikisht pengon portierin për të kapur topin. Me rregullore, goli duhej anuluar, por gjyqtari kryesor, Enea Jorgji, edhe pse u konsultua me anësorin Ridigert Çokaj, nuk e anuloi golin e Tiranës.

VLLAZNIA-APOLONIA 2-0
Gjyqtarë: J.Xhaja, R.Avdo, A.Koçiaj (Tiranë);

Ndeshja në Shkodër është shoqëruar me vendime të diskutueshme të arbitrave. Në minutën e 48-të anësori Ani Koçiaj ngriti flamurin për një pozicion jashtë loje në një aksion për gol të Vllaznisë, por pamjet filmike tregojnë se ka gabuar. Da Silva e ka marrë topin brenda zonës, pasi sfera është kthyer gabimisht prej fierakëve. Në këtë mënyrë Koçiaj ua hoqi mundësinë vendësve që të shënonin në një situatë shumë të volitshme. Në minutën e 49-të, kur rezultati ishte ende 0-0, Gurishta kroson një top në zonë dhe Demir Imeri shënon me kokë, por anësori Koçiaj ngre sërish flamurin, duke anuluar golin. Nga pamjet filmike duket qartë që anësori ka gabuar sërish, sepse në momentin që Gurishta kroson topin, lojtarët e Vllaznisë i mban në lojë kapiteni Sota i Apolonisë, që ndodhej pas shpinës së kundërshtarit. Dy gabime që mund të kishin rezultuar vendimtare për rezultatin e ndeshjes, por Vllaznia më pas arriti të shënonte dy gola.
PARTIZANI KASTRIOTI IIIIII
KASTRIOTI-PARTIZANI 2-1
Gjyqtarë: O.Ferataj (Patos), I.Tartari, O.Grabova (Fier);

Një penallti për Partizanin ishte rasti më i diskutueshëm i ndeshjes së luajtur në stadiumin e Kamzës. Në minutën e 63-të, Asani brenda zonës krutane, pasi tenton të driblojë Prodanin, bie në fushë pas kontaktit me këtë të fundit. Fillimisht gjyqtari Ferataj vijon lojën, por pas sinjalizimit të anësorit Tartari, akordon penallti për Partizanin. Nga pamjet filmike nuk duket qartë nëse ndërhyrja e mbrojtësit ndaj sulmuesit është në ekstremin e penalltisë. Por, duke parë dinamikën e aksionit dhe sigurinë e anësorit Ilir Tartari, i cili ishte shumë pranë aksionit, vendimi mund të quhet i drejtë.

TEUTA-SKËNDERBEU 1-1
Gjyqtarë: K.Meta, D.Rexha, D.Myftari (Tiranë);
Një penallti e mohuar për Teutën. Kur ndeshja ishte 1-0 për durrsakët dhe luhej minuta e 32-të, Bregu futet brenda në zonë dhe pasi bën një lëvizje mashtruese, pengohet nga Bicaj. Pamjet filmike tregojnë se bëhet fjalë për një penallti 100%. Mirëpo, kryesori Meta zgjodhi të vijonte lojën, ndoshta duke qenë i pozicionuar jo mirë për të vlerësuar ndërhyrjen. Megjithatë, për këtë rast ai ka gabuar.

BYLISI-LAÇI 1-1
Gjyqtarë: K.Shahini, F.Lama (Durrës), R.Malaj (Vlorë);

Raste shumë të diskutueshme në Ballsh, me arbitrin që gabon jo pak. Në minutën e 19-të, Dushkaj fut një top në zonë, aty ku Ujka gjuan, por sfera ndalohet nga dora e mbrojtësit të Laçit, Musta. Lojtarët e Bylisit kërkojnë penallti, por arbitri Shahini vazhdon lojën duke qenë i bindur se nuk kemi të bëjmë me penallti. Megjithatë, pamjet filmike tregojnë se lojtari i Laçit e ndalon topin me dorë dhe vendësve u mohohet një 11-metërsh. Ndërsa në minutën e 49-të, kemi një prekje me dorë të topit nga mbrojtësi i Bylisit, Alan, pas një rrëmuje brenda zonës. Gjyqtari Shahini akordon penallti për Laçin, duke marrë një vendim të drejtë. Në minutën e 76-të, ballshiotët pretendojnë për prekje me dorë nga Ignjatoviç, por pamjet filmike tregojnë që lojtari i Laçit e ka devijuar topin me kokë brenda zonës dhe jo me krah. Ndërkohë, vlen të theksohet se kryesori i fali kartonin e dytë të verdhë Ndrecës së Bylisit në minutën e 53-të, teksa ndërhyri rëndë në anësore ndaj Albion Markut. Gjithashtu, në minutën e 37- të toleroi një gjest antisportiv të Nuabuezes ndaj Stojanoviç.

PANORAMASPORT.AL