Nga Tritan Shehu
Mbasi lexova prononcimin e Presidentit Meta për shërbimin e Reanimacionit, një këshillë Qeverisë, që uroj të mos bjerë përsëri në “vesh të shurdhër”!
Së pari dua të mbështes Presidentin për evidentimin që i bëri Reanimacionit, domosdoshmërisë së forcimit, modernizimit e zgjerimit të tij në struktura, poste, teknologji, materiale, forca njerezore etj, edhe në përballjen Covid.
Ndërkaq dëshiroj të kujtoj se megjithë këmbënguljen tonë prej muajit shkurt, në këtë drejtim jemi pothuaj në vend, larg standarteve europiane.
Është e vërtetë që shërbimet e Reanimacioneve kushtojnë, kërkojnë kapacitete të kualifikuara, mbështetje të gjerë kolaterale, por mos të harrojmë se janë kufiri i fundit, që ndan jetën me vdekjen.
Të aktivizosh, ndërtosh a përmirësosh strukturalisht një sherbim reanimacioni kërkon profesionalizëm të lartë, parametra komplekse nga hapësirat, lëvizjet, qarkullimi e cilësia e ajrit, instalimet e sofistikuara, teknologjia e lartë, etj, aq më shumë kjo kur kemi të bëjmë me patologji të tilla infektive.
Fatkeqësisht edhe sot mbas disa muaj epidemi ne duhet akoma të përmirësojmë ato pak poste reanimacioni që kemi në Tiranë e rrethet kryesore, të aktivizojme minimalisht 150 të rinj të tillë nën parametra europianë.
Kjo nuk bëhet me improvizime siç mund të ndodhte në shkurt, pra duke zgjatur disa tuba gazesh në ambjente të degraduara a me parametra të pa pershtatshme, duke sjellë një aparaturë aty e një tjeter atje, sepse këtu kemi të bëjme me një shkencë të vërtetë, që kërkon inxhinierët e saj plot eksperiencë tashmë.
Prandaj, kontraktoni me grupet e specializuara nga vendet rreth nesh, ata dinë të ndërtojnë të tilla struktura siç bënë me mijëra në pak javë në vendet e tyre…dhe të jeni të bindur se kostot do të jenë krejt të përballueshme.
Ndërkaq mendoni për personelin përkatës, për trajnimin, shpërblimin e një numri shumë të madh infermierësh e operatorësh, për të plotësuar ato shërbime, së bashku me mjekët përkatës!
Ndryshe jo vetëm e sotmja, por veçanërisht muajt që vijnë mund të jenë tragjike.
© SYRI.net