Kosova e drejtuar nga trajneri Franco Foda e nisi me humbje rrugëtimin në kualifikueset e Botërorit 2026.
Përfaqësuesja dardane u mposht thellë 4-0 nga Zvicra, në ndeshjen e zhvilluar në Bazel, e vlefshme për Grupin B.
Takimi u vendos që në pjesën e parë, ku zviceranët shënuan katër herë, duke e kthyer ndeshjen në një përballje për t’u harruar për Kosovën.
Pas sfidës, kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, i cili nuk e fsheh kurrë origjinën e tij shqiptare, u ndal te paraqitja e skuadrës dhe te golat e shënuar.
“Pjesa e parë ishte ndoshta më e mira që kemi bërë pas një kohe të gjatë. Nëse do të kishim luajtur në të njëjtin ritëm edhe në pjesën e dytë, rezultati mund të shkonte 6-0 ose 7-0. Kosova nuk ishte dobët, por ne ishim në një gjendje shumë të mirë.
E gjithë bota e di që jam shqiptar me zemër dhe gjak, por sonte i festova golat sepse përfaqësoj Zvicrën,” tha Xhaka.
Një nisje e vështirë për Kosovën, që do të duhet të reagojë në ndeshjen e radhës kundër Suedisë në shtëpi, për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.