“Mundi për tokën zhbëhet në pazar”, fermerët tregojnë vështirësitë që po hasin me tregtarët

0
97

Fushat e Divjakës janë ndër furnizueset kryesore të tregjeve të vendit. Tani që fermerët po nxjerrin prodhimet e këtij sezoni, tregojnë vështirësitë që po hasin sërish me tregtarët e shumicës. Produktet e tyre kërkohen me çmime qesharake, ndërsa në Tiranë e qytete të tjera shiten me 3-fishin e çmimit.

Kështu nis dhe mbyllet dita për fermerët e Divjakës. Jetën e kanë të lidhur me tokën dhe prodhimet e saj. Këtë periudhë kanë nisur nxjerrjen e prodhimeve të para të qepës dhe patateve.

Aq sa të kënaqur ndihen me prodhimin e mbarë dhe cilësor të këtij sezoni, po aq edhe të zhgënjyer se edhe këtë herë mundi i tyre po shkon dëm. Prodhimet e reja të qepëve dhe patateve ju blihen fermerëve me 30 lekë kilogrami, ndërsa në tregjet e Tiranës dhe të qyteteve te tjera ato shiten më të paktën 3-fishin e çmimit.

Përballë kësaj skeme tashmë të njohur nga tregtarët e shumicës, fermerët ndihen të pafuqishëm dhe të pambrojtur nga shteti.

Pasi kanë dalë sërish me humbje, fermerët thonë se përsëri do t’i kthehen tokës. Ata e dinë fort mirë se çmimi për mundin e tyre përcaktohet nga tregtarët e shumicës. E në rast se i refuzojnë prodhimi iu mbetet stok ose kalbet në tokë.