Ka filluar me debate mbledhja e sotme e Komisionit të Shëndetësisë dhe Arsimit, ku do të raportojnë ministret e sektorëve përkatës. Ministrja e Arsimit Evis Kushi nuk ishte e pranishme në komisioni, duke dërguar një zv.ministër ç’ka bëri që kryetarja Albana Vokshi të tërhiqte vëmendjen për mosprezencën e saj para deputetëve.
“Qëllimi i dëgjesës është për masat e marra në kuadër te pandemisë nga shkollat për fillimin e mësimit. Kjo dëgjesë është kërkuar në mënyrë unanime. Kemi votuar që të thirren të dyja minstret. Çështja është jetike, jo vetëm për shëndetin e mësuesve, por të gjitha familjeve. Falenderova ministren e Shëndetësisë për prezencën. Ministrja e Arsimit është hera e tretë nuk vjen. Ka dërguar një e-mail që thotë se ka një angazhim tjetër. Kushtetuta e detyron ministren që të paraqitet para deputetëve“, tha Vokshi.
Ndryshe nga Kushi, Manastirliu ndodhej aty duke i dhënë shpjegime pyetjeve të deputetëve. Reagimi i Vokshit ka shkaktuar debate edhe me deputetët e tjerë në komision.
Ndërkohë që Vokshi fliste ka ndërhyrë deputeti socialist Ilir Pendavinji, i cili theksoi se nga Ministria e Arsimit është prezente përmes zv.ministrit dhe se kryetarja duhej të sillej konform ligjit dhe rregullores së Kuvendit.
Vijon..