Mungonin dy avokatët e Olsi Lekut, shtyhet gjyqi për Çapjan e 5 të pandehurit. Akuzohen për vrasjen e babë e bir

0
619

Mungesa e dy avokatëve mbrojtës, është bërë shkak që seanca e radhës kundër Ardjan Çapjas dhe të pandehurve të tjerë në këtë proces gjyqësor të shtyhet, për javën që vjen.

“Ora News”, mëson nga burime brenda Gjykatës së Posaçme se sot ishte parashikuar pyetja e disa prej dëshmitarëve të prokurorisë SPAK, por gjyqi nuk ka mundur të zhvillohet.

Shkak për dështimin e seancës që ka sjellë mos pyetjen e dëshmitarëve ka qenë pikërisht mungesa e dy avokatëve mbrojtjes, të personit të pandehur Olsi alias Jorgo Leku.

Mësohet se në gjyqin e sotëm nuk janë paraqitur para gjykatës, avokatët Skerdilajd Dalipi i zgjedhur me prokurë të posaçme nga i pandehuri Leku dhe avokatij tjetër i tij, i caktuar kryesisht nga gjykata, Pranvera Doci.

Të dy avokatët, nuk kanë marrë pjesë dhe për pasojë trupi gjykues i përbërë nga Etleva Deda, Erjon Bani dhe Irena Gjoka, vendosën të pezullojnë afatet e paraburgimit për personat e arrestuar dhe të caktojnë seancën e radhës javën e ardhshme në 26 janar 2022.

Gjatë procesit gjyqësor, ishte parashikuar të merrej dëshmia e 5 personave, e cila konsiderohet e rëndësishme për vijimin e gjykimit.

Nga ana tjetër relatorja e çështjes, Etleva Deda, në mënyrë të përsëritur ka refuzuar kërkesën e medias së shkruar dhe asaj televizive për të ndjekur nga afër procesin gjyqësor ku të pandehur janë, Ardjan Çapja, Florenc Çapja, Ervis Bardhi, Etien Cani, Klajdi Dokoli dhe Olsi alias Leku.

Të gjithë këta persona akuzohen nga prokuroria e posaçme SPAK se në vitin 2012 kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke ekzekutuar në shenjë hakmarrje brenda shtëpisë së tyre, Gentian Beqirin dhe babain e këtij të fundit, Nezir Beqiri.

Në këtë çështje personi që ka marrë pjesë direkt në vrasje, Ervis Bardhi, është penduar për krimin e kryer duke vendosur të bashkëpunojë me prokurorinë dhe policinë.

Si pasojë e dëshmisë së tij, dhe provave të mbledhura, fillimisht prokuroria arrestoi Ardjan Çapjan dhe tre persona të tjerë në Elbasan.

Ndërsa në kërkim u shpallën Jorgo Leku dhe Florenc Çapja, të cilët u arrestuan më pas në Athinë  dhe në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.