Me gjak njeriu, të dhuruar nga vullnetarë, artisti kolumbian Julian Castillo ka pikturuar dy murale, një që përshkruan këngëtarin portorikan Rene Perez dhe një pëllumb paqeje, në Cali. Qëllimi i artistit është që të përcjellë mesazhe kundër dhunës.
Të përballur me refuzimin si donatorë në Kolumbi, një grup njerëzish me tatuazhe i dhanë gjakun e tyre artistit urban Julián Castillo, në mënyrë që ai të pikturonte dy murale që kundërshtojnë dhunën.
Ndërsa Castillo vizaton skicën e veprave në një mur, shtatë të rinj nga Siloé, një lagje e varfër dhe e stigmatizuar në qytetin e Calit, japin gjak pranë tij. Artisti 29-vjeçar fillon të mbushë fytyrën e reperit dhe aktivistit portorikan Residente dhe “Pëllumbit të Paqes” të piktorit spanjoll Pablo Picasso.
“Ideja është që gjaku që nuk mund të shpëtojë jetë mund të përdoret për mirë. Doja të bëja homazh për ato ikona që gjenerojnë pozitivitet”, shton artisti që vendosi një rekord Guinness në vitin 2018 duke vizatuar një mural me 1200 lapsa.
Këtë herë, për të nderuar dy nga idhujt e tij, ai përdori miqtë e tij me tatuazh nga Siloé, të cilët kanë përjetuar dhunë “në mishin e tyre”.
“Sot e kam më të lehtë të dhuroj gjak që të bëhen murale për të mirën e artit dhe kulturës”, -thotë një 39-vjeçare saldatore.
Teksa Castillo përzien plazmën me pigment të kuq për tatuazh dhe një akrilik që e pengon atë të kalbet shpreson se ajo do të zgjasë rreth tre vjet ngjitur në mur.
“Është pikturë me një pjesë të miqve të mi, simbolikisht është shumë domethënëse”, -shton artisti.
Në Kolumbi, rregulloret shëndetësore i kufizojnë njerëzit me tatuazhe ose piercing që të dhurojnë gjak në qendrat mjekësore për muaj të tërë.