Muzika e lartë orët e vona të natës është kthyer në një shqetësim për banorët e kryeqytetit.
Kjo ka ndodhur edhe me një nga menaxherët e clubeve të natës, ku për shkak të ndotjes akustike është proceduar penalisht nga policia.
Policia e kryeqytetit bën me dije se 23-vjeçari, me inicialet H.H, është në procedim penal për “Prishje të qetësisë publike”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Vijojnë kontrollet intensive për parandalimin e ndotjes akustike.
Prishi qetësinë publike, duke vënë muzikë të lartë në lokalin që menaxhonte, procedohet penalisht 23-vjeçari.
Sekuestrohen pajisjet që gjenerojnë muzikën.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të kontrolleve për zbatimin e ligjit, si dhe parandalimin e ndotjes akustike, kanë intensifikuar kontrollet, me qëllim zgjidhjen e shqetësimeve të banorëve, nga muzika e lartë në lokale.
Gjatë kontrolleve, në një lokal në rrugën “Mine Peza”, shërbimet e Policisë kanë konstatuar muzikë të lartë që përbënte shqetësim për banorët.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për menaxherin e lokalit, shtetasin H. H., 23 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve dhe hoteleve, që të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe rregullat në lidhje me ndotjen akustike, pasi në rast të konstatimit të ndotjes akustike, shërbimet e Policisë do të sekuestrojnë pajisjet që gjenerojnë muzikë dhe do të procedojnë sipas ligjit, shtetasit përgjegjës.