Na bëjnë presion të mos ankohemi”, të burgosurit shqiptarë prej ditësh në grevë urie në 10 burgje greke: Po ndëshkohemi pa të drejtë

0
45

1589 të burgosur me origjinë shqiptarë janë prej disa ditësh në një grevë urie, duke refuzuar ushqimin në burgjet greke.

Shkak për këtë grevë është bërë një njoftim që ministria Greke e Drejtësisë ka nxjerrë lidhur me mënyrën e dhënies së lejeve dhe të lirimit me kusht për të burgosurit që mbahen në institucionet greke të riedukimit.

Sipas denoncimeve të vetë të burgosurve, rregulli në fjalë është bërë enkas për të mbajtur brenda burgjeve disa prej terroristëve të organizatës famëkeqe “17 nëntori” si dhe të dënuarit për organizatën kriminale të “Agimit të Artë”, rastet e përdhunuesve të të miturve ose vrasjeve të grave, por prek edhe të dënuarit e tjerë, të cilët thonë se penalizohen pa të drejtë.

Në greve marrin pjesë të dënuar që mbahen në burgjet e  Haniasë, Kalkidhës, Korfuzit, Dhomokosë, Naflios, Patrës, Larisa, Neapoli dhe Larisës.

Hania – 119 të burgosur grevë urie
Kalkidha – 87 të burgosur grevë urie
Korfuz – 77 të burgosur grevë urie
Naflio – 137  të burgosur grevë urie
Patra – 115 të burgosur grevë urie
Larisa – 111 të burgosur grevë urie
Neapoli 23 të burgosur grevë urie
Trikala – 51 të burgosur grevë urie

Ministria greke e Drejtësisë pranon se situata është e vështirë dhe se po shqyrton rastet herë pas here me qëllim përjashtimin nga kjo qarkore të të dënuarve, që vlerësohet se janë rehabilituar ose nuk konsiderohen të rrezikshëm.

Për momentin nuk ka shenja ose informacione për kryengritje brenda burgjeve të vendit, por janë marrë masa shtesë për sigurinë e institucioneve penitenciare të vendit.

Shoqatat në mbrojtje të të drejtave të njeriut kanë deklaruar se qarkorja në fjalë prek të drejtat e njeriut dhe ftuan qeverinë të marrë masa për normalizimin e situatës.

Vetë të dënuarit në një video të dërguar në redaksinë e Top Channel, thonë se kërkojnë të drejtat e tyre dhe se po penalizohen prej qeverisë, pasi ndryshimet ligjore të bëra për të penguar terroristët të dalin nga burgu, penalizojnë mijëra të dënuar, të cilët bazuar në ligjet ekzistuese kërkojnë të drejtat e tyre të sanksionura nga kushtetuta.

“Kohët e fundit ka bërë një ligj të ri për terroristë, që na prek dhe ne që nuk kemi lidhje. Një nga terroristët ka vrarë babain e një politikani grek dhe na dënojnë edhe ne. Drejtorët bëjnë presion burgaxhinjve mos të bëjnë grevë urime sepse janë me partinë demokratike”, thotë një nga të burgosurit.

Ata denoncojnë edhe raste në të cilat drejtues të burgjeve iu bëjnë presion të dënuarve për të ndërprerë grevën.

 

Top Channel