“Na thanë paguani 3 milionë lekë ose do bëjë 3 muaj burg”, bashkëshortja e të dhunuarit: Ne shesim speca, jo drogë, i kanë kërkuar lekë…

0
687

Ditën e djeshme, një qytetar nga Elbasani, i quajtur Amarildo Hoxha 28 vjeç, ka denoncuar dhunën e policisë së Lushnjës të ushtruar kundrejt tij në autostradën Lushnjë-Fier. Ai sapo ishte kthyer nga furnizimi që kishte bërë për biznesin e tij të fruta perimeve.

Pamjet e rënda të dhunimit të tij, ishin shokuese për opinionin publik, gjë që më vonë nxiti edhe reagimin zyrtar nga ana e policisë e cila me anë të një deklarate sqaronte se shtetsi në fjalë kishte kanosur dhe dhunuar efektivët e policisë.

 

Por bashkëshortja e Amarildo Hoxhës, Elisjana Hoxha thotë se një gjë e tillë nuk ishte e vërtetë, pasi deklaron se burri i saj në asnjë moment nuk kishte dalë nga makina për të ushtruar dhunë ndaj efektivëve. Më tej shton se në komisariat i ishin kërkuar të paguanin gjobën prej 3 milionë lekësh ose që bashkëshorti i saj të bënte 3 muaj burg.

Ajo shtoi se arsyeja kresore përse policia kishte dhunuar bashkëshortin e saj është fakti se ky i fundit kishte ndezur telefonin dhe ishte munduar t’u bënte video gjatë kohës që po i kërkonin rryshfet.

Elisjana Hoxha:

Burrin e mora në mëngjes në telefon, nuk e hapte. Mora prindërit e tij në telefon, edhe ata nuk dinin gjë. Pastaj një mik na tha që ishte në burg se kishte sharë policin. Kur shkuam në polici na thanë që ai kishte ofenduar punonjësin dhe ose do të bënte 3 muaj burg, ose do të paguante 3 milionë lekë gjobë. Ne i thamë që të paguanim gjobën dhe të iknim të mbaronim punë.

Ndërsa burrin e kishin mbajtur mbyllur në birucë dhe e kishin qëlluar. Kaq di unë se as nuk na njoftuan.

Jeni e bindur që bashkëshorti juaj nuk i është kthyer punonjësve të policisë?

Jam e bindur se aty janë katër kamera dhe sot do të shihen ato. Ai ka qenë në makinë dhe nuk ka dalë nga makina. Ai tha se i kishin hapur derën me forcë dhe më pas e kishin rrahur. Më pas një nga policët e kishte marrë dhe e kishte cuar në komisariat.

Policia deklaron se bashkëshorti juaj nuk kishte pranuar të jepte kartën e identitetit?

Ata kishin marrë çdo gjë, me kartë identiteti, me patentë e me makinë, të gjitha.

Pse punonjësit e policisë reaguan në këtë mënyrë?

Sepse ai po bënte video, pasi cdo ditë i kërkonin lekë. Se tani nuk i dilet përditë duke u dhënë lekë atyre. Ai u jepte lekë se i gjenin ndonjë pretekst. Shkon cdo ditë andej. Po të ishte ashtu do ta kapnin edhe policia e Fierit se ai nuk ka një mjet por 5 makina për këtë punë.

Unë dua të drejtën time. Dua të vihet drejtësia, sepse burri im nuk kishte as armë e as drogë me vete. Nuk merret një që shet speca me policat. Ne kundër shtetit nuk kemi dalë asnjëherë. Po bën mbi 10 vite që merret me këtë punë, merrej me fugon fruta perime. Fëmijët e përjetuan shumë keq.

Vjehrrin e kam me 5 unaza desh ra në tokë në komisariat, tha do marr hak për këtë që kam bërë. Nëse burri im shet drogë ta marrin atje e ta vrasin, po jo ky shet speca e ta marrin ta rrahin ashtu. Ky mu betua për kokë të fëmijëve që nuk kishte zbritur nga makina.