Nacionalistët bullgarë sulmojnë makinën e Von der Leyen, presidentja e KE do të hynte në një fabrikë armësh

0
2

Ndjekës të partisë nacionaliste bullgare “Ringjallja” kanë tentuar t’i pengojnë Ursula von der Leyenit vizitën në një fabrikë armësh në qytetin Sopot, duke sulmuar një automjet në të cilin besonin se ndodhej kryetarja e Komisionit Europian.

Kreu i “Ringjalljes”, Kostadin Kostadinov, i cili më pare, siç kujton Euronews ka bërë thirrje për tërheqjen e Bullgarisë nga NATO, organizoi tubime me një parti tjetër nacionaliste, “Velichie”, në Fabrikat e Inxhinierisë së Makinerive Vazov në Sopot duke kundërshtuar rrugën europiane të Bullgarisë e duke insistuar për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar.

Kostadinov u filmua teksa bllokonte një automjet duke krijuar një ngërç që detyroi policinë bullgare të ndërhynte e të lejonte kalimin e makinës. Në një video të shpërndarë në mediat sociale, demonstruesit që mbanin flamuj bullgarë dhe rusë shihen duke rrethuar makinën, e cila më pas ecën përpara por goditet disa herë me një nga pankartat.

Kostadinov shihet aty duke u përplasur me policinë dhe bërtet me të madhe ;“nazistë”, ndërsa makina u rrethua nga protestuesit. Nuk është e qartë nëse presidentja e Komisionit Europian ndodhej në automjet në kohën e incidentit.

Vetë Kostadinov më vonë pretendoi se ajo mbërriti në fabrikën e Sopotit me helikopter, e jo me makine.