Nafta “i jep gaz”, Bordi i Transparencës shmang kamerat dhe vendos rritjen e çmimit të karburanteve

0
157

Nafta në Shqipëri të paktën për dy ditët e ardhshme do të shitet me 221 lekë litri. Është ky vendimi i mbajtur larg pompozitetit të kamerave i Bordit të Transparencës, i cili do të jetë në fuqi të paktën deri të mërkurën kur do të mbahet dhe mbledhja e radhës.

Bordi i Transparencës i ngritur me vendim të kryeministrit Edi Rama harron të bëjë detyrën që i është ngarkuar, transparencën e vendimeve të tij.

Kjo pasi kur bëhet fjalë për të ulur çmimin e karburanteve e gjithë qeveria e kryesuar nga vetë Edi Rama pushtojnë ekranet dhe me pompozitet shfaqen si “shpëtimtarë” të xhepave të shqiptarëve. Por kur çmimi i naftës në vend rritet qeveria fshihet përmes një njoftimi të shpërndarë formalisht në media dhe në një ditë feste si Sulltan Novruzi.

Kështu veproi këtë të martë Bordi i Transparencës i ngritur me vendim Qeverie, me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë.

Në mbledhjen e tij të radhës, dhe bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve, ky bord vendosi që çmimi i naftës në treg të rritet në 221 lekë për litër. Kjo të paktën deri të mërkurën kur do të mbahet dhe mbledhja e radhës.

Në fakt tregtimi i karburanteve me 221 lekë të reja litri ka nisur që të hënën, por qeveria heshti dhe u kujtua pas 24 orësh që të konfirmonte këtë dëshirë të grosistëve të naftës për ta rritur atë me 18 lekë për litër naftën.

Sipas vendimit të Bordit në fjalë çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil do të jetë 216 lekë/litër, dhe nënproduktit benzinë për periudhën 22 mars-23 mars të jetë 199 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit benzinë për periudhën 22 mars-23 mars të jetë 211 lekë/litri.

Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gaz për periudhën 22 mars-23 mars të jetë 93 lekë/litri.