NATO duhet të dërgojë trupa në Ukrainën Perëndimore

0
155

Reagimi i Perëndimit ndaj pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga ana e Rusisë ka qenë i vendosur, i unifikuar dhe me pasoja serioze për këtë të fundit. Por ai është i pamjaftueshëm për misionin e frenimit të Vladimir Putinit dhe planeve të tij mbi Ukrainën dhe shtetet e NATO-s në Evropën Lindore.

Vetëm sanksionet janë të pamjaftueshme për ta frenuar Putinin, që ashtu si tiranë të panumërt evropianë përpara tij, njeh vetëm logjikën e forcës. Në rast se udhëheqësit perëndimorë duan që Putin të kërkojë paqe, ata duhet të rrisin nivelet e trupave në krahun lindor të NATO-s, dhe të garantojnë një prani të fuqishme ushtarake mbrojtëse në Ukrainën Perëndimore dhe në Detin e Zi.

Aktualisht Perëndimi po lejon pushtimin e paligjshëm të Vladimir Putin edhe në përcaktimin e hapësirës së betejës. Kjo është një qasje e gabuar. Ushtritë perëndimore mund dhe duhet të operojnë brenda Ukrainës Perëndimore, larg operacioneve tokësore të Rusisë në lindje të vendit.

Një shfaqje vendimtare e forcës brenda Ukrainës, do t’i jepte Putinit sinjalin se Perëndimi nuk do t`i tolerojë aspak përpjekjet ruse për të rishikuar me forcë kufijtë. Po ashtu ajo do të parandalojë gjakderdhjen më të madhe në Evropë që nga viti 1945, por nga ana tjetër do të parandalojë agresionin e ardhshëm rus në Evropë.

Politikanët perëndimorë e pranojnë që ne ndodhemi në një moment kyç të historisë. Putin synon që të përmbysë rendin evropian të farkëtuar nga fitoret e udhëhequra nga Amerika gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë. Nuk ka rëndësi nëse ai po bazohet tek ankesat e vjetra apo nëse po përpiqet të rindërtojë një perandori cariste.

Nëse taktikat e tij të “tokës së djegur” i japin fitoren në Ukrainë, ai do të krijojë telashe në Moldavi, shtetet baltike apo Poloni. Është jo-historike dhe aspak e mençur të supozohet e kundërta. Aneksimi i Sudeteve nga Hitleri në vitin 1938 është një analogji e papërsosur, por shumë udhëzuese.

Neni 5 i Traktatit NATO-s, e detyron të gjithë bllokun që t`i dalë në mbrojtje vendeve anëtare që janë nën sulm. Vendosmëria perëndimore në krizën aktuale, do të përcaktojë edhe gatishmërinë e Putinit për të luajtur me një përgjigje të tillë në çdo lloj përballje të ardhshme. Sukseset e tij në Krime në vitin 2014 dhe Siri në vitet 2015-2016, ishin faktorët kryesorë në vendimin e tij për të pushtuar Ukrainën.

SHBA-ja dhe Evropa janë ngritur në lartësinë e sfidës së tij. Ata kanë vendosur gjoba financiare shkatërruese ndaj kompanive ruse dhe kanë çuar shumë armë në Ukrainë. Por historia e përgjakshme, na tregon se durimi strategjik është në favor të Rusisë.

Putin ka të ngjarë të fitojë ndikim në pjesën më të madhe të Ukrainës, të mbetet i ngujuar në Kremlin, dhe të planifikojë lëvizjet e tij të ardhshme drejt Perëndimit. Kuptohet që politikanët perëndimorë, pas fushatave të gjata në Irak dhe Afganistan, janë edhe më të kujdesshëm ndaj angazhimeve ushtarake, dhe e kanë përjashtuar mundësinë e dërgimin e trupave atje.

Por heqja dorë nga një dislokim mbrojtës dhe humanitar në Ukrainën Perëndimore, sjell rreziqe të rëndësishme, duke përfshirë muaj të tërë gjakderdhjeje të tmerrshme, dhe më pas një Rusi më të guximshme. Tani që Putin e ka pushtuar Ukrainën, nuk ka traktate apo ligje ndërkombëtare që e parandalojnë një dislokim ushtarak.

Qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike e Volodymyr Zelensky do ta mirëpriste një prani të tillë trupash. Putin beson se ai po dikton ngjarjet, ndërkohë që deri më tani vendet perëndimore kanë qenë të pafuqishme për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve. Kjo dinamikë duhet të përmbyset.

Fuqitë perëndimore kanë dërguar mijëra trupa në shtetet e vijës së parë të NATO-s për qëllime humanitare. Por ndikimi i këtyre forcave, do të ishte shumë më i rëndësishëm brenda Ukrainës. Fuqitë perëndimore duhet të dërgojnë trupat e artilerisë së rëndë në disa pjesë të Ukrainës Perëndimore, duke e bërë të qartë se dislokime të tilla janë me ftesë të qeverisë sovrane, se ato janë krijuar për të mbrojtur operacionet humanitare, dhe nuk se do të angazhohen për të sulmuar forcat ruse.

Forca të tilla, të udhëhequra nga NATO dhe mundësisht edhe nga vende të tjera aleate, mund të strukturohen në mënyrë të ngjashme me misionet e udhëhequra nga NATO në Kosovë dhe Afganistan. Nëse forcat tokësore të zotit Putin mbeten të bllokuara në Ukrainën lindore, kjo forcë me orientim humanitar mund të lëvizë gradualisht drejt lindjes.

Shtimi i sulmeve ajrore, të cilat janë intensifikuar së fundmi në disa pjesë të Ukrainës perëndimore, tregon qartazi domosdoshmërinë për të ndalur Putinin që të vijojë fushatën e tij të bombardimeve pa asnjë dallim, edhe në vende dhe qytete që ndodhen në kufi me NATO-n.

Ky plan kërkon një vendosmëri shumë të madhe, por kjo nuk do të thotë automatikisht luftë me Rusinë, aq më pak nisjen e një konflikti bërthamor. Putinit i pëlqen të bëjë kërcënime, dhe tek e fundit kjo jo se ai ka qenë i përmbajtur deri më tani më tani.