NATO po përforcon mbrojtjen e krahut lindor, avionët amerikanë F-35 kryejnë policimin ajror

0
177

Prej 26 shkurtit 2022 NATO aktivizoi Forcën e saj të Reagimit të Shpejtë për herë të parë për të mbrojtur krahun lindor të aleancës ndërsa forcat ruse vazhdojnë sulmin ndaj Ukrainës.

Komanda e Forcave të Përbashkëta të Napolit përmes një postimi në Twitter ka treguar përgatitjet e NATO-s për përforcim të krahut të saj lindor.

“Përforcimi i krahut lindor të Aleancës kërkon përpjekje të mëdha të ushtrisë amerikane”. Lëvizjet e trupave për të përforcuar krahun lindor të NATO-s janë në përgjigje të situatës aktuale të sigurisë në Ukrainë ,shkruhet aty.

Ndërkohë avionët amerikanë F-35 po kryejnë policimin ajror  në të gjithë krahun lindor të Aleancës NATO.

Trysnia diplomatike dhe ekonomike ndaj Rusisë për agresionin e saj në Ukrainë, u rrit të hënën me caktimin e sesionit urgjent të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, rënien e monedhës ruse në një nivel të ulët rekord dhe shtimin e sanksioneve të reja kundër bankës qendrore të Rusisë.

Ndërsa agresioni hyri në ditën e pestë, ushtria ukrainase tha se forcat ruse kishin ngadalësuar “ritmin e sulmit”.

Ministria britanike e Mbrojtjes, tha të hënën se trupat ruse ndodhen më shumë se 30 kilometra në veri të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, duke shtuar se “dështimet logjistike dhe rezistenca e palëkundur ukrainase vazhdojnë të pengojnë përparimin e forcave ruse”.

Kjo përputhej me vlerësimin e një zyrtari të lartë amerikan të mbrojtjes, i cili u tha gazetarëve të dielën se “nuk kemi asnjë tregues se ushtria ruse ka marrë kontrollin e ndonjë qyteti”.

Trupave ruse së shpejti mund t’u bashkohen forcat nga Bjellorusia, aleatja e Rusisë, sipas zyrtarëve amerikanë që folën me disa media.

Beteja në Ukrainë vijon qytet më qytet, teksa numri i të vrarëve rritet. Për herë të parë është pranuar edhe nga Ministria e mbrojtjes ruse të dielën se ka ushtarë rusë të vrarë, por nuk është dhënë një numër.