Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg i ka bërë thirrje Moskës që t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe të tërheqë të gjitha forcat ruse, por përsëriti se aleanca nuk do të dërgojë trupa apo avionë luftarakë për të mbështetur Kievin pasi nuk dëshiron të bëhet pjesë e konfliktit.
“Sulmi rus është krejtësisht i papranueshëm dhe është mundësuar nga Bjellorusia”, tha Stoltenberg pas takimit me presidentin polak Andrzej Duda.
“NATO është një aleancë mbrojtëse, ne nuk kërkojmë konflikt me Rusinë. Rusia duhet të ndalojë menjëherë luftën. Të tërheqë të gjitha forcat e saj nga Ukraina dhe të angazhohet me mirëbesim në përpjekjet diplomatike”, shtoi ai.
Shefi i NATO-s, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, ka “shkatërruar paqen në Evropë” duke pushtuar Ukrainën, duke shtuar se aleanca e mbrojtjes perëndimore do të mbrojë “çdo pëllëmbë të territorit tonë”, citon AFP