Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte thotë se Rusia dhe Irani duhet të ndajnë përgjegjësinë për krimet e kryera kundër popullit sirian nën regjimin e Bashar al Asadit.
Ai tha se të dy vendet ishin “mbështetësit kryesorë” të regjimit të Asadit, por se si Moska ashtu edhe Teherani u treguan “partnerë jo të besueshëm, duke e braktisur Asadin kur ai pushoi së përdoruri për ta”, shkruan Sky News.
Rutte shtoi se përmbysja e regjimit të Asadit është një “moment gëzimi” dhe se ai shpreson për një tranzicion paqësor të pushtetit dhe një proces politik gjithëpërfshirës, të udhëhequr nga Siria.
“Ne do të vëzhgojmë nga afër për të parë se si liderët rebelë sillen gjatë këtij tranzicioni. Ata duhet të mbështesin sundimin e ligjit, të mbrojnë civilët dhe të respektojnë pakicat fetare.”, shtoi Rutte.
Regjimi i presidentit Bashar al-Assad në Siri ra, pas një ofensive të papritur nga grupet rebele islamike. Kjo ofensivë u drejtua nga grupi Hayat Tahrir al-Sham (HTS), së bashku me fraksionet rebele aleate dhe i dha fund sundimit 50-vjeçar të familjes Assad.
Ofensiva filloi vetëm 12 ditë më parë, me dy qytete të mëdha që ranë në duart e rebelëve gjatë fundjavës. Homs, qyteti i tretë më i madh i Sirisë, u pushtua të shtunën pas vetëm një dite luftimesh.
Një ditë më pas, të dielën, rebelët e udhëhequr nga HTS njoftuan se kishin hyrë në kryeqytetin Damask, duke liruar të burgosurit nga burgu famëkeq ushtarak Saydnaya./abcnews.al