FNSH dhe RENEA janë duke krehur zonën në kërkim të autorit apo autorëve të dyshuar për vrasjen e efektivit të Policisë, Xhulio Prela mëngjesin e sotëm në fshatin Gajush.
Burime bëjnë me dije se deri më tani janë shoqëruar në polici 15 të dyshuar apo persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen e rëndë.
Xhulio Prela u gjet pajetë në makinën e tij mëngjesin e sotëm, ndërsa mësohet se ka qenë një plumb në zemër që i ka shkaktuar vdekjen.
Ngjarja
Vrasja ndodhi në afërsi të fshatit Gajush në orën 03:00 të mëngjesit teksa dyshohet se Xhulio Prela është qëlluar nga afër me tre plumba, ndërsa njëri prej tyre ka qenë në zemër duke i shkaktuar vdekjen.
Ai ishte duke udhëtuar nga Tirana për në Shkodër, ku për arsye ende të paqarta ka ndaluar makinën disa metra larg vendit ku u gjet i vdekur.
Pasi u qëllua, makina tip “Volkswagen” ka ecur në gjendje të lirë për disa qindra metra duke përfunduar në anë të rrugës.
Policia dyshon paraprakisht se ai ka ndaluar në rrugë dhe ka patur komunikim me personin apo personat që e ekzekutuan. Xhami i hapur nga ana e pasagjerit bën policinë që të dyshojë për këtë fakt. Në vendin e ngjarjes janë gjetur tre gëzhoja të armës së krimit të dyshuar si pistoletë.
24-vjeçari ishte efektiv i FNSH-së së Shkodrës dhe studionte në Akademinë e Policisë.
abcnews