Rritja e çmimeve të apartamenteve nuk duket se ka ndër mend të ndalet. Pritshmëritë e sipërmarrësve të sektorëve të ndërtimit janë që shtrenjtimi do të vazhdojë në muajt në vijim.
Në vrojtimin e Biznesit që bëhet rregullisht me sipërmarrjet nga Banka e Shqipërisë, subjektet e ndërtimit u pyetën për pritshmëritë e tyre për çmimet:
Si prisni të ndryshojnë çmimet që ju do të vendosni gjatë 3 muajve të ardhshëm?
-1. Do të rriten
-2. S’do të ndryshojnë
– 3. Do të bien
Balanca e përgjigjeve për muajin prill ishte 45, dmth 45% më shumë subjekte të ndërtimit të anketuara mendojnë se çmimet do të rriten, në raport me ata që mendojnë të kundërtën. Ndonëse në rënie të lehtë në raport me muajin e mëparshëm (49.6), pritshmëritë për rritjen e çmimeve vijojnë të mbeten afër niveleve maksimale historike (shiko grafikun: Si prisni të ndryshojnë çmimet që ju do të vendosni gjatë 3 muajve të ardhshëm?).
Të kontaktuar nga “Monitor” ndërtuesit japin si arsye kryesore për shtrenjtimin e pritshëm, rritjen e ndjeshme të lëndëve të para. Arben Dervishi, sekretar i Shoqatës së Ndërtuesve tha se “Kostot e ndërtimit janë shtrenjtuar nga rritja e çmimeve te materialeve të ndërtimit. Rritja më e madhe ka qenë për hekurin me 80 deri 90% më shumë se vjet. Shpenzimet për hekurin janë rritur 30 deri 40 euro për metër katror ndërtimi. Rritje të çmimeve ka edhe për materialet e tjera të ndërtimit, si: betoni, çimento, dyer dhe dritare alumini. Rritje të larta të çmimeve ka pasur edhe të materialeve që përdoren për instalimet elektrike. Për disa materiale me përbërje bakri rritja e çmimit shkon edhe 2 deri 3 herë e lartë.
Te shtrenjtimi i kostove ka ndikuar edhe rritja e pagave për specialistët dhe punëtorët e ndërtimit, jo vetëm për shkak të rritjes të pagës minimale, por për mungesën e lartë për punonjës në këtë sektor. Aktualisht sektori i ndërtimit po vuan mungesë të theksuar për gjetjen e punëtorëve dhe specialistëve. Fenomeni është thelluar që me hapjen e ekonomisë nga pandemia, ku shumë punëtorë punojnë me sezone në Kroaci, Itali dhe Gjermani. Aktualisht një specialist pllakash kërkon pagesë 2 deri 3 herë më shumë se më parë, ndërsa pagesat ditore të punonjësve variojnë nga 2,000 deri 2,500 lekë nga 1,500 lekë që ishin.
Në këtë situatë është e domosdoshme që shteti të rinovojë menjëherë manualin e çmimeve të ndërtimit. Pritet gjithashtu të hartohet një udhëzim për njohjen e çmimit të hekurit nëpërmjet faturave fillestare të blerjes, për shkak të rritjes të lartë të çmimit të tij.
Arben Dervishi nga shoqata e ndërtuesve thotë se kostoja e ndërtimit për apartamentet në periferi ka arritur 600 euro/m2 nga 400 euro që ishte më parë, për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para.
“Kostoja e ndërtimit për objekte në zonat periferike nga 400 euro ka arritur 600 euro/m2. Kësaj kostoje në çmimet e shitjes i shtohen edhe taksat e bashkisë që zëne 11% te vlerës se shitjes te apartamentit, dhe të pronarit të truallit nga 35 deri 50%”, pohon ai.
Sipas tij kostoja e ndërtimit për apartamentet e qendrës është më e larta, ndërsa për ndërtimin e kullave kostoja rritet më tepër edhe nga fasadat e larta.