Prag tragjedie duket se është ajo që mund të ndodhë në Malishovë të Përmetit.
Një qytetar ka denoncuar në redaksinë e BalkanWeb situatën ku ndodhet ai dhe fqinjët e tij. Nga rrëshqitja e dheut banesat e tyre rrezikojnë që shumë shpejt të përfundojnë në greminë duke u rrezikuar kështu edhe jetën.
Ai ka shpjeguar se rrezikohen tetë banesa ndërsa fillesat e greminës së krijuar janë tashmë vetëm një metër larg shtëpisë së parë.
“Jam banor i fshatit Maleshovë, në rrethin e Përmetit, dhe po ju shkruaj me shqetësim të thellë dhe frikë reale për jetën e familjeve tona.
Si pasojë e reshjeve të mëdha, në fshatin tonë ka ndodhur një rrëshqitje masive dheu, e cila po përhapet në një sipërfaqe shumë të gjerë. Aktualisht 8 banesa ndodhen në rrezik të menjëhershëm, ndërsa në 3 prej tyre jetojnë familje, ku rrëshqitja ka mbërritur vetëm 1 metër larg themeleve.
Është krijuar një humnerë rreth 300 metra e gjatë dhe mbi 40 metra e thellë, që po zgjerohet vazhdimisht. Banesat lëkunden fort në çdo moment, duke krijuar ndjesinë e një tërmeti të pandalur dhe duke rritur rrezikun për shembje.
Kjo situatë është jashtëzakonisht alarmante dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përgjegjëse, për verifikim në terren, evakuim të banorëve dhe marrje masash emergjente, përpara se të humbasë ndonjë jetë njerëzore. Jeta e familjeve tona është në rrezik”, shkruan ai.



