Finalizohet operacioni i koduar “Itinerari 2”. Një shtetas sudanez është arrestuar nga policia. Sipas informacioneve ky shtetas ndihmoi 6 emigrantë për të kaluar kufirin nga Greqia, në drejtim të vendit tonë me qëllim destinacionin një nga vendet e BE-së.Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohet edhe një tjetër. 30-vjeçari dyshohet se ka kaluar ilegalisht në Greqi.
“Si rezultat i hetimeve dhe punës operacionale intensive, të kryera me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në kufi, dhe konkretisht aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës, kundrejt parave, emigrantëve që synojnë të shkojnë në mënyrë të kundërligjshme në shtete të BE-së, strukturat e DVKM Korçë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Itinerari 2”. Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi 24 vjeç, banues në Darfur, Sudan. Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare në vendin e quajtur “Fusha e Parë”, mbi fshatin Drenovë, Korçë, pasi nga veprimet hetimore dhe informacionet e siguruara në rrugë operative dyshohet se ka ndihmuar 6 emigrantë për të kaluar ilegalisht nga Greqia në territorin e Shqipërisë. Punohet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme. Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, për shtetasin 30 vjeç, banues në Elbasan, pasi dyshohet se ka kaluar ilegalisht në Greqi”, thuhet në njoftimin e policisë
Materialet procedurale për këto raste iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.


