Ndryshimet klimatike do ulin deri në 20% rendimentin e ullirit e rrushit, pasoja dhe në blegtori

0
6

Ndryshimet klimatikë do të japin efekte të shumta në sektorë të ndryshëm të ekonomisë duke nisur nga infrastruktura tek energjia apo turizmi.

Por disa sektorë të tjerë mund të goditen edhe më shumë me pasoja që do të prekin sektorë ku një pjesë e mirë e popullatës është e angazhuar. Raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit vlerëson se bujqësia dhe blegtoria do të jenë dy prej tyre.

Kështu lidhur me bujqësinë parashikohet që rendimenti i disa kulturave të bjerë për shkak të ndryshimit të temperaturave dhe fenomeneve që sjellin ndryshimet klimatike.”

“Ndryshimet e ardhshme klimatike në Shqipëri pritet të kenë efekte të konsiderueshme në prodhimin e kulturave bujqësore. Veçanërisht në zonat fushore, parashikohet që rendimenti i misrit të ulet me 17% dhe rendimenti i domateve dhe shalqirit të bjerë me 6-11%. Në zonat bujqësore me mundësi të kufizuara vaditjeje ose me mungesë të plotë vaditjeje, pritet që rendimenti i jonxhës të ulet me 6%, rendimenti i rrushit me 17-23%, rendimenti i ullinjve me 11- 20%, ndërsa rendimenti i grurit pritet të rritet me 4-5%” thuhet në raport.

Lidhur me blegtorinë pasojat gjithashtu parashikohet të jenë të shumta por sidomos disa raca lokale tek të imëtat, delet dhe dhitë rrezikojnë të zhduken.

“Racat lokale dhe ato të rralla mund të zhduken si rezultat i ndikimit të ndryshimeve klimatike dhe epidemive të sëmundjeve. Shumica e bagëtive të imëta, deleve dhe dhive, janë raca lokale shqiptare të rritura kryesisht në sistemin e kullotjes dhe do të jenë më të cenueshme nga ndryshimet klimatike në Shqipëri. Nga dhjetë raca të deleve, tre prej tyre rrezikojnë të zhduken dhe nga 17 raca të dhive, 10 prej tyre rrezikojnë të zhduken. Ndryshimet klimatike do të ndikojnë negativisht në nivelin e tyre të rrezikut” thuhet në raport.

Po kështu blegtoria do të ndikohet edhe nga rënia e rendimentit të foragjereve  me të cilat ushqehen kafshët teksa përtej ndryshimit të temperaturës edhe fenomene si përmbytjet apo zjarret kanë rrezikun e tyre në këtë aspekt./MONITOR