Pas një prove në disa fluturime të veçanta, tani rregulli i ri pritet të vlejë për të gjitha fluturimet kombëtare dhe ato drejt vendeve të zonës Schengen: për të hipur në avion nuk do të jetë më e detyrueshme të tregosh një dokument identiteti, por do të mjaftojë karta e imbarkimit.
Lajmi është publikuar nga Corriere della Sera dhe bazohet në një dokument të ENAC (Enti Kombëtar për Aviacionin Civil), i miratuar edhe nga Ministria e Brendshme italiane. Sipas këtij rregulli të ri, përgjegjësia e kontrollit të identitetit kalon te linja ajrore, e cila duhet të sigurojë që emri në biletë përputhet me atë të udhëtarit, përmes një kontrolli vizual, shkruan A2 CNN.
Sipas autoriteteve, siguria mbetet e garantuar nga kontrollet standarde në aeroporte, si kalimi nëpër metaldetektor dhe skaneri i bagazheve.
Gjithsesi, dokumentet e identitetit nuk duhen lënë në shtëpi, sepse mund të kërkohen në kontrolle të rastësishme ose në kthim, pasi jo të gjitha vendet e zonës Schengen e zbatojnë këtë rregull. Për më tepër, për udhëtimet jashtë zonës Schengen dokumentet mbeten të domosdoshme.
Vetëm në Itali, pritet që deri në fund të vitit rreth 51 milionë pasagjerë të fluturojnë duke përdorur vetëm kartën e imbarkimit, ndërsa deri në vitin 2026 parashikohen rreth 92 milionë pasagjerë.
Megjithatë, kjo lehtësi nuk vlen për shtetasit shqiptarë, të cilët do të duhet të vijojnë të paraqiten bashkë me pasaportën. (A2 Televizion)