Në dy muajt e parë të këtij viti, Agjensia e Mbikqyrjes Policore ka arrestuar 14 punonjës policie. Referuar raportit, një prej tyre u kap në flagrancë dhe 13 të tjerët me vendim gjykate pasi hetimet ndaj tyre për vepra të ndryshme penale, si korrupsion e shpërdorim detyre, kishin nisur muaj më parë.
Nga 13 oficerët e arrestuar me vendim gjykate, për 9 prej tyre ishte vendosur masa e sigurisë arrest në burg dhe për 4 të tjerë arrest në shtëpi. Ndërsa 6 punonjës policie janë pezulluar nga detyra.
Gjatë muajit Janar e Shkurt, nga Agjensia e Mbikqyrjes Policore, janë referuar në prokurori 29 punonjës policie për t’u hetuar në prokuroritë përkatëse në të gjithë vendin. Kryesisht ankesat për ta janë bërë nga qytetarët.
Mësohet se AMP dhe Prokuroria e Posaçme kanë nisur hetimet për Sektorin e Krimeve Ekonomike në Policisë e Tiranës, pasi kanë dyshime të forta se disa efektivë janë përfshirë në skema korruptive.
Hetimet që përfshijnë disa punonjës si dhe drejtues të sektorit vijnë pas arrestimit të oficeres Arta Nazifit, të cilën gjykata e la në arrest shtëpie me akuzën se ka marrë 5 mijë euro nga dy motra që kishin një klinikë estetike, ndaj të cilave kishte nisur një hetim nga strukturat e policisë. Dhënia e parave është bërë me qëllim që të mbyllej çështja, si dhe t’u ktheheshin produktet e sekuestruara.
Ndërkohë, në një mbeldhje të zhvilluar të premten, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku vendosi të pezullojë deri në hyrjen në fuqi të strukturës së re të Policisë së Shtetit, të gjithë drejtuesit vendor të Krimit Ekonomiko-Financiar, në të gjitha qarqet e vendit. Kjo për shkak të mungesës së efikasitetit të këtyre strukturave dhe mospërmbushjen e pritshmërive, në luftën kundër evazionit fiskal, paligjshmërive në fushën ekonomike, apo goditjen e korrupsionit.