“Në 2023-n rezultuan 100 % të sigurta”/ KQZ del me 3 propozime për zonat ku do të aplikohet votimi dhe numërimi elektronik

0
2

Partitë politike nuk arritën në një dakordësi për të implementuar votimin elektronik në Tiranë për zgjedhjet e 11 majit, megjithatë detyrimi ligjor ka bërë që KQZ të propozojë tri variante që do të kërkojnë firmën e komisionit rregullator.

Varianti i parë propozon votimin dhe numërimin elektronik në 5 njësi të kryeqytetit dhe në Vorë. Bëhet fjalë për njësitë 1,3,5,8 dhe 9 ndërsa i njëjti proces do të ndiqet edhe në zonën e Bërxullit, Prezës dhe Vorës.

Varianti i dytë përmban në draft zhvillimin e këtij procesi në njësitë 2,3,5,9 dhe 10 në Tiranë ndërsa zona e Vorës mbetet e njëjtë.
Drafti i tretë nuk përmban vetëm Tiranën por edhe qytetin e Durrësit. Në shkresë kërkohet që votimi elektronik të zhvillohet vetëm në njësitë 5 dhe 10 ndërsa në Durrës të përfshihet nga rajoni 1 deri në rajonin 5. Zona e Vorës edhe në variantin e 3-të mbetet i njëjtë.
Në çdo qendër votimi në të gjitha rastet do të përdoren dy pajisje të votimit dhe numërimit elektronik.

Do të jenë 5 anëtarët e komisionit rregullator ata që do të japin fjalën e fundit se cili nga këto drafte do të jetë fituesi ndërsa kërkohet një shumicë votash 4 me 1.

Më herët KQZ propozoi qytetin e Durrësit për të implementuar votimin elektronik por të gjitha partitë përpos demokratëve kërkonin Tiranën. Për shkak të refuzimin nga PD, ky proces mbeti pezull, ç’ka solli tri variante për t’a përfshirë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

MË POSHTË RELACIONI SHPJEGUES SE PSE KQZ VENDOSI APLIKIMI I TEKNOLOGJISË NË ZGJEDHJE

Me vendimin nr.111 datë 2.3.2021, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve përcaktoi zonën e administrimit zgjedhor nr.40,  ku do të përdorej për herë të parë projekti pilot i votimit dhe numërimit elektronik.  

Projekti pilot i votimit dhe numërimit elektronik u zbatua për herë të parë në zgjedhjet për Kuvend, të datës 25 Prill 2021, në ZAZ nr. 40, Qarku Tiranë. 

Në përfundim të këtij procesi, në zbatim të udhëzimit nr. 15, datë 07.10.2021 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për përcaktimin e procedurave të këqyrjes paszgjedhore të fletëve të votimit dhe materialeve zgjedhore”, u realizua këqyrja paszgjedhore për 100% të pajisjeve të përdorura për votimin dhe numërimin elektronik duke u numëruar manualisht fletët e votimit të printuara nga pajisja, e cila konfirmoi saktësinë 100% të rezultatit në pajisjet e përdorura për votimin dhe numërimin elektronik në zgjedhjet e datës 25.04.2021. 

Pas pilotimit të suksesshëm në zgjedhjet për Kuvend, të datës 25 Prill 2021 si dhe në zgjedhjet e pjesshme për Kryetar Bashkie, të datës 6 Mars 2022, në Bashkinë Vorë, ky projekt u zbatua dhe në zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, të datës 14 maj 2023, në bashkitë: Elbasan, përkatësisht ZAZ 47, 48, 49, 50; Kamëz, përkatësisht ZAZ 27 dhe 28; dhe Vorë, përkatësisht ZAZ 26;.  

Komisioni Rregullator me vendimin nr.16 datë 13.4.2023 “Për përdorimin e pajisjes elektronike të votimit dhe numërimit, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023” ka vendosur që procesi i votimit dhe numërimit për bashkitë, Elbasan, Kamëz dhe Vorë të kryhet nëpërmjet pajisjeve elektronike të votimit dhe numërimit (PEVN). 

Në përfundim të këtij procesi, me vendimin nr.800 datë 23.10.2023 te Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për përcaktimin e procedurave të këqyrjes paszgjedhore të fletëve të votimit dhe materialeve zgjedhore, për zgjedhjet e datës 14.5.2023” u realizua këqyrja paszgjedhore për 10% të pajisjeve të përdorura për votimin dhe numërimin elektronik duke u numëruar manualisht fletët e votimit të printuara nga pajisja, e cila konfirmoi saktësinë 100% të rezultatit në pajisjet e përdorura për votimin dhe numërimin elektronik në zgjedhjet e datës 14.5.2023.  

Gjithashtu pas vendimeve të Komisionierit Shtetëror të Zgjedhjeve nr.539, datë 20.05.2023 “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë dhe për Këshillin e Bashkisë, në zonën zgjedhore Bashkia Elbasan, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023” dhe nr.536, datë 20.05.2023 “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë dhe për Këshillin e  Bashkisë në zonën zgjedhore bashkia Kamëz, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023” janë depozituar në KAS kërkesat ankimore nr.81 dhe nr.86,  nga ‘Partia Lëvizja e Legalitetit’ dhe koalicioni ‘Bashkë Fitojmë” për bashkinë Kamzë si dhe  kërkesa ankimore nr.85  datë 24.05.2023 e depozituar nga koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ për bashkinë Elbasan.  

Gjatë shqyrtimit të kërkesave ankimore KAS ka vendosur për këqyrjen dhe numërimin e votave fizike në pajisjet elektronike te votimit dhe numërimit për QV nr.2373/01, QV nr.2481/01 dhe QV nr.2483 të bashkisë Elbasan si dhe QV nr.1575, QV nr.1597/02 të bashkisë Kamzë, pra numërimin në mënyrë manuale. Rezultati provoi përputhjen e plotë të numrit dhe vlerësimit të votave fizike me përmbledhësen e votimit elektronik, duke rrëzuar pretendimin e ankuesve, pra duke ri konfirmuar edhe njëherë saktësinë 100% të procesit të votimit nëpërmjet pajisjeve elektronike (PEVN) . 

Pra referuar të gjitha eksperiencave të deritanishme të votimit dhe numërimit elektronik nëpërmjet pajisjeve elektronike (PEVN) dhe numërimit manual të votave të gjendur në këto pajisje, është konfirmuar në të gjitha rastet saktësia 100% të procesit të votimit nëpërmjet pajisjeve elektronike (PEVN) . 

Duke pasur parasysh parashikimin e nenit 22 pika 4 të Kodit Zgjedhor : “…., votimin me dhe nëpërmjet pajisjeve elektronike dhe numërimin nga pajisjet të votave të hedhura, si dhe të jenë të aplikueshme së paku për pesë procese zgjedhore të njëpasnjëshme”, konsiderohen zgjedhjet e katërta të njëpasnjëshme, duke përfshirë edhe zgjedhjet e pjesshme të datës 6.3.2022,  

si edhe parashikimet e nenit 23 pika 3 “Në rastet kur nga testimi parazgjedhor rezulton se sistemet apo pajisjet shfaqin defekte apo pasaktësi operacionale, të cilat mund të cenojnë integritetin e tyre apo të procedurave, atëherë KQZ-ja mund të vendosë zbatimin e procedurave manualisht dhe të heqë sistemet apo pajisjet nga përdorimi në zgjedhjet e radhës” 

apo parashikimin e nenit 20  pika 2 gërma c, mbi Kompetencat e Komisionit Rregullator : 

 “… përdorimin e sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit për të mbuluar aspekte apo procedura të veçanta të procesit zgjedhor, ose heqjen e tyre nga përdorimi” 

Duke konsideruar : a) eksperiencat e deritanishme kanë provuar saktësinë 100 % të pajisjeve elektronike (PEVN) gjatë procesit të votimit dhe numërimit, b) zgjedhjet e datës 11.5.2025 konsiderohen zgjedhjet e katërta të njëpasnjëshme ku mund të përdoren këto pajisje, c) madhësinë e pritshme të përmasave të fletës së votimit për zonën zgjedhore, Qarku Tiranë (37 mandate).  

Propozohet përdorimi i pajisjeve elektronike të votimit dhe numërimit (PEVN) në zgjedhjet për Kuvend, të datës 11 maj 2025 si më poshtë:

Aktualisht KQZ disponon 828 pajisje për votimin dhe numërimin elektronik (PEVN) dhe duke qënë se për çdo QV përdoren 2 pajisje PEVN si dhe sasinë rezervë të nevojshme, KQZ është në gjendje që të përdorë pajisjet e votimit dhe numërimit elektronik (PEVN) deri në 404 Qendra Votimi.

Duke pasur parasysh se Bashkia Tiranë ka 940 Qendra Votimi konstatohet se numri i pajisjeve në dispozicion është ipamjaftueshme për të zhvilluarprocesin e votimit dhenumërimit elektronik në të gjitha Qendrat e Votimit të kësaj bashkie.

Varianti më optimal për përdorimin e pajisjeve të votimit dhe numërimit (PEVN)që disponojmë për zgjedhjet për Kuvend të datës 11.5.2025 është përdorimi i tyre në disanjësi administrative te bashkisë Tiranë dhe Vorë, të cilat ofrojnë avantazhe logjistike në menaxhimin si dhe votuesit janë të familjarizuar me këtë proces votimi.

Në zbatim të nenit 22, të Kodit Zgjedhor, ku përcaktohen kompetencat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me teknologjinë në zgjedhje, propozohet të implementohet ky projekt në Njësinë Administrative nr.1, Njësinë Administrative nr.3, Njësinë Administrative nr.5, Njësinë Administrative nr.8, Njësinë Administrative nr.9, Njësinë Administrative nr.10 të Bashkisë Tiranë si dhe në njësitë Administative, Bërxull, Prezë dhe Vorë të Bashkisë Vorënë zgjedhjet për Kuvend, të datës 11  maj 2025.

Për sa më lart, në këtë relacion, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, brenda kompetencave të veta, dhe në respektim të detyrimeve e afateve ligjore të përcaktuara në Ligjin nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, i propozon për shqyrtim dhe miratim Komisionit Rregullator projektvendimin“Për përdorimin e pajisjes elektronike të votimit dhe numërimit, në zgjedhjet për Kuvend, të datës 11 maj 2025”.

Daniela ALIMEMETI          – Drejtoria e Logjistikës dhe Digjitalizimit 

Pavlina  DOÇAJ                                 – Drejtoria e Ligjshmërisë

Majlinda ÇELMETA             – Sekretar  i Përgjithshëm (në mungesë dhe me urdhër)

Dokumenta bashkëngjitur