Në fshatin ku nuk shkojnë nuse

0
161

Prenishti është një prej fshatrave të Pogradecit ku jeta në dimër është e vështirë. Atje kanë mbetur 50 banorët e fundit, kryesisht të moshuar, që thonë se për shkak të rrugës nuk u japin as nuse për djemtë.

Pas reshjeve të dëborës, në Prenisht të Pogradecit mund të shkosh vetëm në këmbë.

Aty kanë mbetur rreth 50 banorë të fundit, kryesisht të moshuar.

“6 muaj behar dhe 6 muaj dimër është këtu, dimër i tmerrshëm.Varfëri. Jetojmë me blegtori dhe pak toka.’

Dimri tregojnë se është i ashpër dhe i gjatë dhe një pjesë e kalojnë të izoluar.

“Në majë të malit mbeten makina, mbeten njerëzit.”

Vështirësitë zgjasin deri në pranverë kur shkrin bora

Ndaj banorët detyrohen të krijojnë rezerva ushqimore për çdo situatë.

“Krijohet ndonjë rezervë për një muaj.”

“Nuk kemi dhe ekonomi të fortë, duhet të kesh që të marrësh.”Në rast se dikush sëmurët, atëherë banorët detyrohen ta transportojnë në krah deri në pikën ku mund të mbërrijnë makina.

“Po u sëmurem këtu nuk kemi nga të dalim.”

“Rrugën e kemi kryesore.”

“Nëse sëmuret dikush, 4-5 veta që jemi e marrim në kurriz, çfarë do të bëjmë?” 

Kërkesa e vetme e tyre është rehablitimi i rrugës. Thonë se ua premtojnë vetëm kur u kërkojnë votat.
Por pas zgjedhjeve, deputetët ikin në Tiranë e Kryebashkiaku në zyrë.

Ndërsa fshati mbetet në izolim.

“Kur vijnë votat në krye të katër vjetëve vijnë këtu.”

Të rinjtë janë larguar, pasi siç thotë me ironi ky banor, për shkak të vështirësive të fshatit nuk u japin as nuse.

“Nuk është shaka, është e vërtetë.Çfarë do bëjë nusja këtu, si do të vijë?”