
Më tepër se një vit nga përplasja me armë me policinë, Prokuroria e Elbasanit ka dërguar në gjyq Josif Kavajën. Ai akuzohet se ka tentuar të qëllojë tre efektivët që i bënë thirrje për dorëzim pranë banesës së tij, ku qëndroi për disa orë duke kërcënuar me armë. Përveç sulmit ndaj policëve, Kavaja akuzohet edhe për armët dhe municionet që iu gjetën më pas në banesë.
Prokuroria e Elbasanit ka dërguar në gjyq dosjen ndaj Josif Kavajës, personit që në 22 dhjetor 2020 tentoi të vrasë tre efektivë policie
Hetimet e kryera nga prokurori Xhelian Seferi nxorën në dritë, se policia e Elbasanit kishte marrë informacion në rrugë operative se Josif Kavaja mbante armë në banesë.
Pas këtij informacioni policia ka shkuar për kontroll në banesë dhe sapo efektivët Armand Muça, Tahir Çaushi dhe Besnik Duka, janë afruar në fshatin Seltë të njësisë Zavalinë, kanë ndeshur me rezistencën e Josif Kavajës.
Ky i fundit i ka qëlluar me armë dhe më pas është ngujuar brenda në banesë.
Më pas në vendin e ngjarjes mbërritën forcat Speciale RENEA, të cilat kanë bërë rrethimin e banesës, e cila është rrëzë vendit të pyllëzuar, por në këtë kohë ai ka qënë i larguar, pasi kishte rënë nata.
Sipas dosjes hetimore, rreth orës 02:00 të natës së 25 dhjetorit 2020, nga ana e pyllit përmbi banesë, Josif Kavaja ka qëlluar me armë, me qëllim për të parë reagimin e policisë ose për të provokuar nëse efektivët ishin aty apo ishin larguar.
Forcat e rendit nuk kanë reaguar dhe Kavaja, ka krijuar bindjen se kishin ikur.
Në këtë kohë ka vendosur të kthehet në banesë nga ana e pyllit por në një rrugicë është përballur më forcat Speciale RENEA, të cilët i kanë bërë thirrje që të ndalojë.
Kësaj thirrje të policisë autori i është përgjigjur duke qëlluar me armë zjarri drejt tyre.
Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i plagosur Josif Kavaja, i cili u gjet nga forcat RENEA në pyll, disa orë më vonë.
Autori u dërgua në spital, ku i mbijetoi plagëve ndërkohë që gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan,13 mijë e 500 fishekë model 56, një kuti me 70 fishekë pistolete 30 granata difesive, rreth 2 kilogram kanabis sattiva dhe një sasi me fara kanabis.
