Në kërkim nga SPAK për “Toyota Yaris”, ndërhyri me Aurel Zarkën edhe te çështja e Suel Çelës/ Dorëzohet në policinë e Tiranës avokati Radovan Çela

0
2

Avokati Radovan Çela, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare, është vetëdorëzuar në Policinë e Tiranës. Çela është i përfshirë në hetimet e njohura si “Dosja Toyota Yaris”.

Gazetari Igli Çelmeta raporton për BalkanWeb se avokati akuzohet për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë

Dosja në fjalë lidhet me sekuestrimin e 3.4 milionë eurove të fshehura në dy automjete tip “Toyota Yaris” në Portin e Durrësit, një çështje e cila ka përfshirë disa emra të njohur të drejtësisë shqiptare. SPAK ka ngritur akuza edhe ndaj ish-kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, ish-oficeren e policisë gjyqësore, Erjona Dautaj, dhe Astrit Vladit, kushëri i Elvis Vladit, i cili është dënuar më herët për këtë çështje.

Sipas akuzës, Radovan Çela dyshohet se ka ofruar përfitime të paligjshme për të ndikuar në vendimmarrjen e funksionarëve të drejtësisë. Konkretisht, ai akuzohet për veprat penale të “Korrupsionit aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

 

 

Gjithashtu, sipas SPAK avokati Çela dhe prokurori Zarka kanë ndërhyrë edhe për çështjen e Suel Çelës për t’i çliruar pasuritë e sekuestruara në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit.

Hetimet e SPAK

SPAK dorëzoi më 30 dhjetor 2024 dosjen penale ndaj ish-kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, ish-oficeren e policisë gjyqësore pranë ish-prokurorisë për Krime të Rënda, Erjona Daupaj, avokatin Radovan Çela dhe Astrit Vladi. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë ndërhyrë në 8 dosje duke ofruar dhe premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë për të lehtësuar rrethanat. Mes dosjeve që kanë ndërhyrë është dhe ajo e Toyota Yaris dhe e Suel Çelës.

Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë procedim penal si edhe nga burimet e provave të mbledhura dhe të administruara gjatë hetimeve paraprake është provuar fakti se të pandehurit; Astrit Vladi, Radovan Çela, Eriona Daupaj dhe Aurel Zarka në bashkëpunim me njëri tjetrin, në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë, kanë pranuar premtime dhe përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të paligjshëm te funksionarë të drejtësisë, kanë ofruar përfitime të parregullta për funksionarë të drejtësisë, si dhe kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive, për secilin prej tyre’ informoi sot SPAK.

SPAK i akuzon të pandehurit në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë ndërhyrë në 8 dosje, duke kërkuar dhe pranuar ryshfet. Kanë ndërhyrë për të ndikuar tek gjyqtarë e prokurorë që hetonin dhe gjykonin Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, në lidhje me 3.4 milion eurot që u bllokua në Portin e Durrësit, në qershor 2018, me qëllim që të favorizoheshin të pandehurit. Po ashtu edhe për favorizim të Suel Çelës për t’i çliruar pasuritë e sekuestruara në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit.

Kanë ndërhyrë në çështjen penale në ngarkim të shtetases Xhoi Mansaku, e akuzuar për veprën penale “Vjedhje” e mbetur në tentativë dhe mosfillimin e procedimit penal për referimin penal nr.669 datë 26.03.2020 të dërguar nga Komisariati i Policisë Himarë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Vlorë si dhe një cështje në ngarkim të Altin Veizaj etj, të akuzuar për veprën penale “Kultivimi i narkotikëve”

Në kohën e kryerjes së veprimeve të kundraligjshme, i pandehuri Aurel Zarka ka qënë në funksionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e pandehura Eriona Daupaj ka qenë në funksionin e oficeres së policisë gjyqësore në ish Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe më pas oficere e policisë gjyqësore në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa i pandehuri Radovan Çela ka qënë në cilësinë e mbrojtësit të shtetasve Alfred Vladi, informon SPAK.

Hetimi nisi mbi bazën e të dhënave të Sky ECC, që u vunë në dispozicion nga autoritetet franceze, ku mes të pandehurve u zbuluan komunikime për çështjet.

Vijon…