Policia e Dubait ka ndaluar Julian Meçajn, një të shumëkërkuar të drejtësisë shqiptare, raporton gazetari Ervin Leka. Mecaj kërkohet nga SPAK, si i implikuar në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj, në rrethrrotullimin e Shkozetit më 1 nëntor 2019. Ai njihet si një nga anëtarët e bandës së Durrësit.
Kush është Julian Meçaj?
Julian Meçaj është numri 2 i bandës së Durrësit, roli dhe ndikimi i të cilët u zbulua edhe më në detaje pas arrestimit të Adriatik Colit, një nga anëtarët e bandës. Më 20 qershor të 2019 Julian Meçajt dhe Plarent Dervishaj iu bë një atentat në autostradën Tiranë-Durrës, ku si pasojë mbetën të dy të plagosur.
Plarent Dervishaj është kunati i Lul Berishës, ndërsa Meçaj është anëtari i bandës së tij. Ngjarja ndodhi në zonën e ish-kënetës, pranë mbikalimit të Shkozetit në Durrës, ku dy të plagosurit ishin duke hipur në makinën e Dervishajt. Meçaj mori tre plumba në trup, ndërsa Dervishaj morri një plumb në këmbë.
Brenda makinës tip Range Rover ishte edhe Bashkim Haxhija, mik i tyre, i vetmi i arrestuar për këtë ngjarje pasi akuzohet se qëlloi me armë në drejtim të autorëve.