shtë hera e dytë që Bujari vjen nga Kukësi në Tiranë. Një ditë më parë, atë e shoqëronte vajza e tij. Me gjithë orët e gjata në pritje, studentja e re nuk kishte arritur të regjistrohej në konvikt.
“Unë ngaqë jam me ndihmë ekonomike, mendova se do merrja një zbritje, por pagova tarifën e plotë. Nuk e di a do të na kthehen, por tarifën e pagova të plotë”, thotë për A2 CNN Bujari, prindi i një vajze që do të regjistrohet në konvikt.
Dëshira për t’i shkolluar fëmijët bëhet e vështirë, veçanërisht për ata prindër të cilët prej vitesh hasen me fenomenin e papunësisë. Për ta akomodimi i fëmijës në shtëpi me qira është e pamundur, por edhe në konvikte është e papërballueshme.
“S’kam leverdi, jam pa punë prej kohësh dhe po vete tashmë 60 vjeçe. Tarifa vjetore është deri në 450 mijë lekë”, tha nëna e një vajze që do të regjistrohet në konvikt.
“Qiratë e apartamenteve janë rritur shumë në Tiranë, kështu që konvikti është zgjedhja më e mirë dhe më ekonomike. Sot, pata mundësi të regjistrohesha sepse radha u ndoq. Tarifën nuk e di akoma, por vjet ka qenë 45 mijë lekë të reja për të gjithë vitin”, tha Ana Prendi, një vajze që do të regjistrohet në konvikt.
Një studim i kryer nga Banka e Shqipërisë mbi çmimet e qirave tregon se kosto mesatare e një apartamenti arrin deri në 52 mijë 240 lekësh në muaj. Ndërkohë, shpenzimet mujore për një student në konvikt nuk kalojnë vlerën prej 4 mijë e 300 lekëve ose thënë ndryshe, ata paguajnë një tarifë 12 herë më pak.
“Çmimet brenda një viti janë rritur nga 20 deri në 25% diçka që është e vështirë edhe për qytetarët”, tha Faiken Idrizi, agjent imobiliar.
Teksa i shohin si zgjidhje për shkak të çmimeve më të ulëta, jo të gjithë studentët do të arrijnë të akomodohen në konviktet publike dhe private në Tiranë. Për një mestarë rreth 78 mijë e 500 studentë të cilët pritet të fillojnë universitetin të hënën e 7 tetorit, konviktet mbulojnë vetëm 7 për qind të tyre. (A2 Televizion)