Në mbledhjen e grupit i pranishëm edhe Rama/ Çdo deputet duhet të hyjë në sallë me zarfin me 3 emra, socialistët në ‘hall’ me rekordmenin Rakipi

0
138

Rreth orës 10:00 të paradites së sotme, në ambientet e kryesisë së Kuvendit do të hyjnë një e nga një deputetët socialistë, të cilët do të kenë me vete dhe një fletë me 3 emrat e tyre si kandidatë për postin e presidentit.

Burime i thanë Faxweb.al se në mbledhjen e sotme do të jetë i pranishëm dhe vetë kryeministri Rama, ndërkohë që për zgjedhjen e presidentit socialistët janë treguar të gatshëm që të dëgjojnë të gjitha palët, edhe pse një emër nga radhët e opozitës nuk ka qenë i pëlqyeshëm për ta.

Rama ngarkoi disa javë më parë Taulant Ballën, Elisa Spiropalin dhe Damian Gjiknurin që të kryesojnë socialistët në negociatat e zgjedhjes së presidentit, ndërkohë që dhe qytetarëve do tiu jepet e drejta që të japin propozimet e tyre, duke shkuar drejt një identikiti të presidentit që do të ishte më i pëlqyeshëm.

Një tjetër temë që pritet të diskutohet në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar, është edhe ajo mbi deputetin Orlando Rakipi, babai i të cilit u shpall non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse vendimi nuk prek direkt familjarët e tij.

Vetë deputeti i ri, në moshë dhe eksperiencë, do të shprehej pak ditë më parë se babai i tij ishte i pastër, dhe këtë do ta vërtetojë edhe në organet e drejtësisë në SHBA, sa kohë që sanksionet ekonomike që u aplikuan nga DASH për Rakipin janë të apelueshme.

Nga ana tjetër Rakipi, është një prej deputetëve më të votuar personalisht në zgjedhjet e 25 Prillit, duke thyer dhe herësin e famshëm të vendosur për listat gjysmë të hapura. Votat personale që ai mori, bënë diferencën në rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve në kryeqytet.

Qëndrimin e grupit për Rakipin pritet ta komunikojë pas mbledhjes Taulant Balla, ndërkohë që socialistët do të duhet të tregojnë se standardi për non grata, duhet të jetë i ndryshëm nga ai që akuzojnë kundërshtarin e tyre Sali Berisha

Sa i takon zgjedhjes së presidentit, pas mbledhjes së sotme, Taulant Balla njoftoi se gjatë ditës së nesërme do të ftojë në një takim dhe krerët e grupeve parlamentare të opozitës, Enkelejd Alibeaj, Fatmir Mediu dhe Mesila Doda, prej të cilëve asnjëri nuk e ka pranuar publikisht ftesën.

Zgjedhja e presidentit në tre raundet e para kërkon shumicë të cilësuar, të cilën për momentin PS nuk e ka, ndërkohë që në raundin e katërt presidenti mund të zgjidhet me 71 vota. Socialistët pretendojnë se procesi i udhëhequr prej tyre do të jetë një model, edhe pse zëra të ndryshëm thonë se vendimi final do të jetë i Ramës, i cili do të tentojë të luajë me elementin surprizë.

(E.K/Faxweb.al)