Në mëngjes Sandër Lleshaj; në darkë Erion Braçe: a po lind një PS anti-Rama?!

0
105

Flitet për mbi 10 deputetë, të cilët kanë hartuar një plan të qartë, që duket se ka edhe një mbështetje të rëndësishme ndërkombëtare, ç’ka e ka xhindosur Edi Ramën prej kohësh dhe e ka futur atë në konflikt të hapur me amerikanët…

Brenda 24 orësh pamë dy lëvizje të rëndësishme brenda harkut politik të mazhorancës socialiste. Ish-ministri i Brendshëm në kohën më të rëndësishme, atë të protestave të dhunshme të vitit 2019, Sandër Lleshaj, por edhe deputeti më socialist në parlament, Erion Braçe, kanë bërë të ditur troç, se është koha për një lëvizje të re.

Rastësi? Nuk duket dhe aq, përveçse një koordinim edhe pse jo shumë preçiz, por sinjalin politik e jep qartë…

Në Partinë Socialiste ka një lëvizje të dukshme tektonike, e cila tashmë po bëhet fakt.

“Është koha për një punë tjetër”, shkruan Erion Braçe. E shumë përkrahës të së majtës, të shqetësuar pyesin se mos do ikë nga politika. Braçe nuk përgjigjet, por gjërat nuk se flasin për një gjë të tillë. Po pse tani, dhe çfarë presupozon kjo lëvizje brenda së majtës shqiptare?

E në fund, kush është bashkë me Braçen e Sandër Lleshajn?

Duket se kemi të bëjmë me një lëvizje të koordinuar, e cila ka kohë që përgatitet, po afrohet drejt ngjizjes, e që tani kërkon të japë një goditje të fortë për të treguar fuqinë politike.

Janë një grup jo i vogël deputetësh socialistë, por jo vetëm, të cilët tashmë mund të thuhet hapur që i kanë numrat për të rrëzuar Edi Ramën në Parlament.

Flitet për mbi 10 deputetë, të cilët kanë hartuar një plan të qartë, që duket se ka edhe një mbështetje të rëndësishme ndërkombëtare, ç’ka e ka xhindosur Edi Ramën prej kohësh dhe e ka futur në konflikt të hapur me amerikanët. Aleatët më të mirë të kryeministrit në këtë rast janë Sali Berisha dhe Ilir Meta, edhe pse ata ai i sulmon më shumë… E këtë e bën për t’i faktorizuar, ndërkohë që ata nuk janë faktorë fare. Mund të jenë, vetëm në rastin kur këta të bashkojnë votat në një mocion të ardhshëm mosbesimi ndaj qeverisë aktuale. Gjë që natyrisht si Berisha edhe Meta mund ta bëjnë lehtësisht, pasi kjo është edhe objektivi publik i tyre. Por sipas Kushtetutës, nëse do të bësh një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, të duhet të ndërtosh një mazhorancë në Kuvend, e të propozosh një qeveri alternative.

E realisht, marrja e rolit të fortë nga Berisha e Meta si zullumqarë e rrëmujaxhi, vetëm i jep aksione Edi Ramës që të jetë një alternativë kundër të “tromaksurve”.

Vota për Portin e Durrësit, tregon pikërisht këtë frymë, pasi dy javë më parë në provën e parë në Parlament, marrëveshja mori vetëm 62 vota, çka e alarmoi Edi Ramën.

Në grupin që flitet se do të ndahet nga PS-ja, janë 10 deputetë të grupit aktual, si dhe një numër i madh ish-parlamentarësh dhe udhëheqësish të vjetër të Partisë Socialiste në qendër e në rrethe. Deri tani, hapur kanë dalë vetëm Erion Braçe e Fatmir Xhafa, por përfliten edhe të tjerë, duke nisur nga kryetari aktual i bashkisë së Vlorës Fatmir Leli.

Edi Rama, mësohet se i ka provokuar, duke i thënë Braçes e Xhafës se a do ta merrni ‘Tigrin’ në grupin tuaj, gjatë një mbledhje grupi, por nuk ka pasur asnjë reagim.

Fakt është se deri tani është mjaft mister qëndrimi i Arben Ahmetajt, i cili duke qenë për një kohë të gjatë pranë Ramës, di shumë më shumë. Gjithsesi ndarja e PS-së, nuk është sinjal tjetër përveç nisjes së rrëzimit të saj nga pushteti. Siç ndodhi në vitin 2005…/Pamfleti