Konsumimi i alkoolit në moshë të re po shënon rritje shqetësuese edhe në Shqipëri. Sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), 1 në 4 të rinj rezultojnë konsumatorë të alkoolit, ndërsa fenomeni është i përhapur në të gjithë Europën.
Specialistët e ISHP-së theksojnë ndikimin e shoqërisë dhe presionit social si faktorët kryesorë që shtyjnë të rinjtë drejt konsumimit të alkoolit.
Po ashtu, është në rritje edhe numri i vajzave që konsumojnë, duke reflektuar një prirje të re sociale dhe shëndetësore.
“Ka një rritje të lartë që nis që nga adoleshentët. Nëse para katër vitesh konsumi ishte rreth 5% te të rinjtë, sot ka arritur në 15%. Ajo që është shqetësuese është se ka një trend rritës edhe tek vajzat”, thotë Andia Meksi, specialiste pranë ISHP.
Ekspertët paralajmërojnë se alkooli në moshë të re mund të krijojë varësi dhe të sjellë pasoja serioze në shëndet, përfshirë dëme fizike, mendore dhe emocionale.
“Pasojat janë si fizike, ashtu edhe njohëse dhe ndikojnë në sjelljen e përditshme. Konsumi i vazhdueshëm mund të ketë pasoja të parikthyeshme. Ka gjithashtu një lidhje mes konsumit të alkoolit dhe rritjes së rrezikut për kancer të gjirit”, thotë Andia Meksi, specialiste pranë ISHP.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), alkooli është shkaktar i 25% të vdekjeve në mesin e të rinjve në mbarë botën, duke e renditur atë si një nga faktorët më të mëdhenj të rrezikut për shëndetin publik.