Puna në distancë ka ndryshuar mendësinë tonë për të ardhmen e punës në të gjitha shtresat e shoqërisë. Por, a po “mbijeton” si koncept? Ekspertët paralajmërojnë për rreziqet, krahas përfitimeve…
Shqipëria përjetoi një rritje të dukshme të punës në distancë gjatë pandemisë së COVID-19 dhe perspektivat dukeshin të favorshme për të vijuar që të funksionojë në të ardhmen. Kjo mënyrë e punës ofroi elasticitet dhe mundësi të reja për punonjësit, kompanitë dhe ekonominë në përgjithësi.
Megjithatë, ajo gjithashtu ka sjellë sfida dhe rreziqe që duhen zgjidhur, për të arritur përfitimet maksimale. Për të arritur suksesin në punën në distancë në Shqipëri është e rëndësishme që kompanitë dhe punonjësit të zhvillojnë strategji të përshtatshme, të sigurojnë resurset dhe përkrahjen e nevojshme, si dhe të zgjidhin sfidat teknike dhe sociale që dalin në rrugën e tyre.
Ekspertët e fushës pohojnë gjithashtu që, puna në distancë në Shqipëri ka potencialin për të ndryshuar mënyrën si punojmë dhe ndërveprojmë në mjedisin profesional.
“Me vëmendjen dhe masat e duhura, kjo mënyrë e punës mund të sjellë përfitime të mëdha për punonjësit, kompanitë dhe ekonominë shqiptare në përgjithësi. Punësimi ‘on remote’ ka ofruar shumë përfitime për punonjësit në Shqipëri.
Ai ka sjellë fleksibilitet kohor dhe vendas, duke u lejuar atyre të organizojnë kohën në mënyrë më efikase. Punonjësit kanë më shumë liri për të përcaktuar orarin e tyre dhe për të përshtatur jetën personale me mënyrën se si punojnë.
Përveç kësaj, puna në distancë ka ulur kostot e transportit dhe infrastrukturës, duke iu lejuar punonjësve të kursenin para dhe kohë” – pohon sipërmarrësi dhe profesionisti i IT, Said Dulevic.
Megjithatë, kjo mënyrë e punës nuk është pa sfida.
Sipas informacioneve të marra në treg, disa prej tyre përfshijnë mungesën e ndarjes së qartë midis jetës personale dhe profesionale, ndonjëherë ndërprerjet në rrjetin e internetit dhe mungesën e bashkëveprimit fizik me kolegët. Megjithatë, me përmirësimin e infrastrukturës së internetit dhe implementimin e strategjive të duhura për menaxhimin e këtyre sfidave, puna në distancë në Shqipëri ka potencialin për t’u rritur edhe më shumë në të ardhmen.
“Në kohën e sotme, kur teknologjia na jep mundësi të mëdha, puna në distancë është një opsion që kompanitë dhe punonjësit duhet ta marrin parasysh. Ndërsa eksplorojmë se si të përshtatemi me këtë model të ri pune, është e rëndësishme të kuptojmë sfidat dhe përfitimet e saj, si dhe të zhvillojmë strategjitë e duhura për të arritur suksesin.
Në Shqipëri, puna në distancë ka një të ardhme të ndritur dhe ne jemi të ftuar të përgatisim terrenin për të rritur potencialin e saj dhe për të përfituar nga përparimet teknologjike”, – thotë për “Monitor”, sipërmarrësi Dritan Mezini, drejtues i DuaPunë.com.
Situata sot
Po, ka shumë shqiptarë që vazhdojnë të punojnë nga shtëpia (në distancë) në Shqipëri, veçanërisht në sektorët ku puna është e bazuar në teknologji dhe internet, – shprehet z. Mezini nga statistikat që i ofron portali i punësimit.
“Pandemia COVID-19 ndikoi në rritjen e punës në largësi, duke u bërë një opsion i parapëlqyer për shumë kompani dhe individë.
Puna në distancë ofron disa avantazhe, si elasticiteti në orarin e punës, eliminimi i kohës së udhëtimit dhe trafikut, dhe mundësia për të punuar në një mjedis të parapëlqyer personal.
Për shqiptarët, puna në distancë është një mundësi për të punuar për kompani të huaja, për të bashkëpunuar me kolegë dhe klientë ndërkombëtarë dhe për të përfituar nga tregu global i punës”, – pohon z. Mezini
Por jo çdo profesion është i përshtatshëm për të qenë funksional në distancë.
“Nëse interesoheni për punën në distancë në Shqipëri është e rëndësishme të kërkoni mundësitë në sektorët që ofrojnë më shumë fleksibilitet, si programimi kompjuterik, dizajni grafik, marketingu digital, shërbimet e përkthimit, konsulencat në teknologji e shumë të tjera” – thotë ai.
Përkundër sfidave të punës në distancë, disa kompani dhe individë në Shqipëri kanë arritur të përshtaten me këtë model pune dhe kanë arritur sukses.
“Është e rëndësishme për punonjësit dhe punëdhënësit të përdorin teknologjinë dhe të zhvillojnë praktikat e duhura për të minimizuar sfidat dhe për të punuar me efikasitet në këtë mënyrë të punës. Nëse resurset janë dhe puna organizohet mirë, ne i kemi lënë punonjësit të punojnë nga cilido cep i qytetit apo më tej”- pohon për “Monitor”, sipërmarrësi Tomi Kallanxhi.
Sfidat
Puna në distancë në Shqipëri përballet me disa sfida të veçanta. Sipas informacioneve të marra në treg nga punëdhënës të kompanive që e aplikuan plotësisht pas pandemisë janë:
-Infrastruktura e internetit: Shpejtësia dhe stabiliteti i internetit mund të jetë sfidë në disa zona të Shqipërisë. Ndikimi i një lidhje të dobët të internetit mund të ketë pasoja negative në produktivitet dhe komunikim.
-Mungesa e kulturës së punës në distancë: Puna në distancë është relativisht e re në Shqipëri dhe nuk është e përhapur në të gjithë sektorët. Për shkak të mungesës së përvojës së mjaftueshme në këtë model pune, mund të
ketë vështirësi në organizimin e punës, menaxhimin e kohës dhe koordinimin e projekteve në distancë.
-Mungesa e ndërveprimit personal: Në kulturën shqiptare, ndërveprimi personal dhe takimet kanë rëndësi të veçantë. Puna në distancë mund të ndikojë në mungesën e këtyre takimeve dhe ndërveprimeve të drejtpërdrejta, që mund të sjellë sfida në bashkëpunim dhe komunikim efektiv.
-Kufizimet e kohës dhe zonës së punës: Puna në distancë mund të sjellë sfida në ekuilibrin midis jetës personale dhe profesionale, duke qenë se mund të ketë vështirësi në përcaktimin e kufijve të qarta midis dy sferave.
Për disa punonjës, ndarja e kohës dhe fokusimi i vëmendjes në punë mund të jetë sfidë, veçanërisht në ambiente të zhurmshme apo me shumë ndërprerje.
-Izolimi dhe mungesa e ndërveprimit social: Puna në distancë mund të sjellë ndjenjën e izolimit dhe mungesën e ndërveprimit social. Nëse nuk ka organizim të mirë të aktiviteteve sociale dhe të komunikimit në distancë, punonjësit mund të ndihen të izoluar dhe të humbin lidhjen me kolegët e tyre. Kjo do të ndikonte në produktivitetin e tyre