Neglizhuan trajtimin mjekësor për 20 vjeçaren që vdiq pak orë pas lindjes, pezullohen nga detyra dy mjekët në Gjirokastër, u ndalohet dalja jashtë vendit

0
201

Dy mjekë të spitalit të Gjirokastrës janë pezulluar nga puna dhe iu ndalohet që të dalin jashtë vendit, me vendim të Gjykatës së shkallës së parë, pas hetimeve për rastin e vdekjes së 20 vjeçares Kristjana Muxhai, pak orë pasi kishte sjellë në jetë fëmijën e saj të parë.

Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se u bë “ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë, Gjirokastër, për caktimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, dhe “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për shtetasit Dashamir Demiri dhe Kostandin Hido, në Gjirokastër, me arsim të lartë, me profesion mjek obstetër-gjinekolog pranë maternitetit ”Dhimitër Çuçi”, dhe mjek anestezist-reanimator pranë sipas rajonal “Omer Nishani”, Gjirokastër, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”.”

E reja Muxhai vdiq Nëntorin e kaluar pak orë pasi solli në jetë fëmijën e saj, dhe familjarët hodhën akuza të forta ndaj mjekëve, se e kishin neglizhuar rastin, dhe nuk i kishin injektuar medikamentet e duhura. Çështja është marrë nën hetim nga prokuroria e Gjirokastrës pas kallëzimit të bërë nga familjarët e të resë.

Kostandin Hido është i vetmi mjek anestezist reanimator në Gjirokastër, dhe pezullimi i tij nga detyra, duket se do të sjellë probleme dhe në kryerjen e operacioneve në këtë spital.

(E.K/Faxweb.al)