Nën efektin e lëndëve narkotike, 45-vjeçari nga Durrësi përplas makinën e policisë në tentativë për t’u arratisur! I gjendet kokainë dhe elektroshok

0
2

Autoritetet e Durrësit finalizuan operacionin e koduar “Përfshirja e shumëfishtë”, ku u arrestua shtetasi J.I., 45 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar për shitje të lëndëve narkotike, vjedhje dhe posedim armësh të ftohta.

Gjatë tentativës për t’u larguar, 45-vjeçari përplasi automjetin e Policisë, i cili e ndiqte pas, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Në automjetin që drejtonte u gjetën sasi Heroine, Kokainë dhe një elektroshok.

Në kuadër të operacionit, u shpallën në kërkim dy bashkëpunëtorë, njëri për vjedhje dhe tjetri për shitjen e drogës (ky i fundit i kishte dhënë automjetin me qira 45-vjeçarit). Po ashtu, një shok i 45-vjeçarit po procedohet penalisht, pasi dyshohet se ka kanosur një person me pistoletë lodër, për motive të dobëta.

Njoftimi i policisë

Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe koordinimit të veprimeve operacionale, menjëherë pas një kallëzimi të marrë për një rast kanosjeje, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, finalizuan operacionin e koduar “Përfshirja e shumëfishtë”.

Gjatë operacionit u identifikua shtetasi që dyshohet se kishte kanosur kallëzuesin, për motive të dobëta, E. H., 36 vjeç, banues në Kavajë, për të cilin nisi procedimi penal në gjendje të lirë. Në automjet, 36-vjeçarit iu gjet pistoleta lodër me të cilën dyshohet se kreu kanosjen. Sendi u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Në momentin e konstatimit të 36-vjeçarit, ai shoqërohej me shtetasin J. I., 45 vjeç, banues në Durrës, i cili sapo ka parë afrimin e shërbimeve të Policisë, është larguar me shpejtësi, me automjet. Shërbimet i janë vënë menjëherë në ndjekje dhe kanë mundësuar arrestimin e tij. 45-vjeçari gjatë lëvizjes me shpejtësi, ka përplasur me automjet, automjetin e Policisë. Si pasojë pati vetem dëme materiale.

Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi J. I. e drejtonte automjetin që kishte marrë me qira nga shtetasi B. M., 51 vjeç, në efektin e lëndëve narkotike. Nga kontrolli në automjet u gjetën sasi drogash të forta (Heroinë dhe Kokainë) dhe 1 elektroshok.

Si rezultat i verifikimeve të mëtejshme dyshohet se shtetasi J. I., në bashkëpunim me shtetasin V. K., 32 vjeç, ka vjedhur mëngjesin e djeshëm, në një servis për automjete, bateri automjeti dhe sasi nafte.

Vijon puna për kapjen e 2 bashkëpunëtorëve të 45-vjeçarit, si dhe vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për të dokumentuar plotësisht, me prova ligjore veprimtaritë kriminale ku është përfshirë ky shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.