Nëna u denoncua për braktisje/ Historia tronditëse e 3 fëmijëve në Durrës, Shërbimi Social vendos sot për ‘fatin’ e të miturve

0
2

E trishtë ishte historia e 3 fëmijëve, të cilët prej tre ditësh qëndronin mbyllur në banesën e tyre, pa praninë e nënës së tyre. Denoncimi për rastin në fjalë, nga Durrësi, erdhi nga ish-vjehrra e nënës së fëmijëve. Aktualisht, Blerina Basha, ndodhet bashkë me tre fëmijët e saj në spitalin e Durrësit, ku të miturit i janë nënshtruar vizitave dhe analizave, ndërkohë që sot Shërbimi Social do të vendosë për fatin e vogëlushëve, më i madhi 12 vjeç dhe me i vogli 5

Gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton për BalkanWeb se sot rreth orës 10:00, Shërbimi Social pritet të marrë një vendim lidhur me historinë e 3 fëmijëve, për të nisur procesin mbi heqjen apo jo të kujdestarisë së nënës, e cila akuzohet për braktisje.

Sipas informacioneve, nëna me tre fëmijët ndodhen në spitalin e Durrësit, konkretisht në repartin e pediatrisë, ku po qëndrojnë në pritje të vendimit zyrtar.
Burime bëjnë me dije se përfaqësues të Shërbimit Social pritet të paraqiten në repartin e Pediatrisë, ku do të shqyrtojnë rastin dhe do të përcaktojnë hapat e mëtejshëm lidhur me kujdestarinë e tre të miturve. Zhvillimet e mëtejshme pritet të bëhen të ditura pas vendimit zyrtar të institucioneve përkatëse. Sakaq, mësohet se sot do të paraqitet në spital, edhe babai i të miturve, që ndodhet në Itali.