Nënat shamizeza të Bulqizës: Atë ditë nuk më mori në telefon, djali hyri dhe nuk doli më nga miniera

0
172

Çfarë ndodh pas një aksidenti në galeritë e Bulqizës? Cili është roli i institucioneve të ngarkuara për të kontrolluar kompanitë që menaxhojnë minierat, çfarë i garanton shteti një minatori dhe çfarë ndodh kur një minator humb jetën në galeri?!… Cili është roli i prokurorisë dhe si ia dalin të fajësojnë gjithmonë viktimën dhe jo fajtorin për qindra minatorë që mbetën të vdekur galerive për 30 vjet. “PAKTI ME VDEKJEN”, historitë e trishta të nënave shamizeza të Bulqizës. Një dokumentar i realizuar nga Klodiana Lala dhe Investigativ Netëork Albania (INA), mbështetur nga Ambasada Amerikane.

Ditët e një nëne bulqizake janë plot frikë, dhimbje e trishtim mes varfërisë së tejskajshme. Selvie Shabanai tregon fatet e djemve të saj. E nis me frikën për ditët e tyre në galeri qysh në moshë të mitur.

“Hynte Nardi flisja në mëngjes, kur hynte, dhe pastaj në 12 -13 kur dilte. Punonin në të njëjtën galeri. Leonardi turn i parë, Viktori turn i dytë. Të njëjtat rroba, i hiqte njëri i vishte tjetri” tregon ajo. Çdo paradite në shkollë, Viktori shfletonte libra me dëshirë, sepse donte të ndiqte pasionet e tij, por pasdite i duhej të thyente gurë e të çante shkëmbin. Ishte si një dënim i pashmangshëm për dy vite rresht në galeri, si kusht për t’i shpëtuar asaj përgjithmonë.

“Se punuan 2 vite bashkë para …. galeria i priste. Nuk kishin zanat tjetër. Ky i vogli mësonte fort. Po të mos punonte në galeri, ai s’mund të merrte asnjë shkollë, se baba i vet ishte me pension….I vogli vriste gishtat e këmbëve e të duarve, natë për natë vinte duke qarë, i thosha mos shko, se me frikë e kisha, e mbante ai i madhi”.

Ndërsa vëllai i madh Leonardi, përpiqej të mësonte Viktorin si të tregonte kujdes ndaj kurtheve të minierës, ai vetë s’do të mund t’i shpëtonte fatit tragjik. “Atë ditë shkoi në mëngjes, ditën që vra Leonardi. Atë ditë nuk më mori në tel. Më merrte në mëngjes më thoshte hyra. Më erdhi një shoqe. Më thanë ka vdekur dhëndri… S’më thanë që është vrarë Leonardi. Komshia më tha është vrarë te puna” tregon ajo.

Selvia do të përballej kështu me lajmin tragjik, me humbjen e fëmijës, që çdo ditë ishte lutur të mos ndodhë. Por galeria, kjo e keqe e domosdoshme për familjet e Bulqizës, e kishte marrë Leonardin, si “kurbanin” e radhës.

“Kaq është jeta jonë, pa galeri ne s’jemi askund. Në Bulqizë është vetëm galeria. Kurbetet janë mbyll. Për ne ajo rrugë është. S’ka më rrugë. Si jetohet të të vritet fëmija? Ti ke fëmijë vetë. Janë vra e kanë fut djemtë e tjerë, këtu s’ke ku të jetosh. Vetëm galeria te ne, s’ka asnjë shpresë. I vogli, pati punuar në ndërtim, ishin në Greqi. Si u martua erdhi poshtë, lindi vajza. Punoj 1 vit në ndërtim, pastaj filloi punë në galeri. ….Puna në minierë tmerr”.

Vitet kalojnë e lënë mbi Selvijen grua, nënë, gjyshe, shenjat e pashërueshme të zisë. “Nuk e shoh dot me sy galerinë. Kam frikë ta shoh me sy. S’kisha ç’bëja, u thosha çunave do rrija pa bukë, vetëm mos shkonin. Ai u bë më fëmijë dhe donte me punuar. Çunat janë të detyruar të shkojnë, me u vra dhe 5….

Gjysmën e jetës e kemi merak, se do vriten. Mendtë tona janë të forta, që s’na lë mendja. Jetojmë me strese, se janë në galeri. Të vritet fëmija, do jetosh se s’ke ç’bën, i kam rritur pa bukë” tha ajo, (lexo ketu emisionin e plote). db/ Abcnews.al