Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet më 9 Dhjetor në orën 11:00 për të votuar Joni Ketën në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Aktualisht Joni Keta mban postin e zv.drejtorit të Byrosë dhe u propozua si drejtues në finale të një procesi që zgjati disa muaj, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Në garë për drejtimin e strukturës që ndihmon SPAK në hetime ishin 7 kandidatë, përfshirë zyrtarë të lartë policie, por edhe prokurorë. Në mandatin e parë 5 vjeçar struktura e pagëzuar si “FBI-ja shqiptare” u drejtua nga Aida Hajnaj.
Informacion mbi mbledhjen:
Dita/Data: E Martë, 09.12.2025
Ora: 11.00
Kohëzgjatja: -90 minuta
Kuorumi i nevojshëm: 7 anëtarë
Kjo mbledhje do të organizohet në sallën e mbledhjeve në prezencë të Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe përfaqësuesve nga Prokurori i Përgjithshëm, Ministria e Drejtësisë, Projekti Eu4Justice dhe Programi OPDAT. Media është e ftuar të jetë e pranishme.
Rendi i ditës:
Miratimi i Procesverbaleve të mbledhjeve plenare të datave 13.11.2025, 14.11.2025 dhe 18.11.2025;
Diskutimi/miratimi i projektvendimit: “Për emërimin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”
Diskutimi/miratimi i projektvendimeve: “Për transferimin e përkohshëm me pëlqim të prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan”.
Të tjera (pyetje/diskutime)


