Nga 30 prilli, sanksione për çdo zyrtar që nuk kryen detyrën

0
133

Maela Marini/ Drejtorja e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje,  Eridana Çano deklaroi sot se nga 30 prilli ligji i Bashkëqeverisjes parashikon sanksione për çdo zyrtar që nuk kryen detyrën dhe nuk jep shërbimin me cilësi dhe në kohën e duhur.

Në aktivitetin informues të mbylljes së sporteleve të shërbimeve publike dhe kalimin e tyre online, Çano tha se ligji ‘Për bashkëqeverisje’ parashikon sanksione administrative nga marrja e vërejtjes te largimi nga puna dhe masa financiare që janë të aplikueshme nga 30 prilli.

Duke folur për dixhitalizimin e shërbimeve, ajo u ndal te Platforma online e Bashkëqeverisjes që në 4 vite e gjysmë ekzistencë ka mbledhur 153 469 halle, i ka dëgjuar, i ka adresuar dhe ka dhënë përgjigje në kohë reale duke zgjidhur mbi 61% të këtyre problematikave.

“Platforma lindi si nevojë për të mënjanuar zyrat që nuk jepnin zgjidhje dhe në fund të ditës prodhonin shkresa pa fund”, tha ajo.

Çano theksoi se komunikimi online i ankesave ishte një mundësi edhe për të monitoruar punën e institucioneve sepse duke pasur sistemin pas Platformës së Bashkëqeverisjes  mund të monitoroheshin çështjet ku ishin dhe personat që nuk kishin kthyer përgjigje.

“Në nëntor të vitit të kaluar u miratua ligji për Bashkëqeverisjen, një akt që i jep në dorë qytetarëve një armë edhe më të fortë për të ngritur zërin e për të vënë para përgjegjësisë zyrtarët abuzues. Detyra jonë është jo thjesht të monitorojmë, por edh të kontrollojmë dhe të sigurohemi që kultura e pandëshkueshmërisë nuk mbetet vetëm në letër”, tha ajo.