Nga -40 në 45 gradë Celsius! Marsi në Tokë, vendi me kushte ekstreme, ku turistët kthehen në astronautë

0
2

Në zemër të shkretëtirës Gobi në Mongoli, një startup vendas po përgatitet të ofrojë një përvojë të jashtëzakonshme: një kamp trajnimi që simulon jetën në planetin Mars. Projekti, i quajtur “MARS-V”, synon të kombinojë kërkimin shkencor me turizmin ekstrem, duke u dhënë aventurierëve mundësinë të provojnë jetën si astronautë, por pa lënë Tokën.

Kampi ndodhet në një zonë të thellë dhe të izoluar të Gobit, ku temperaturat variojnë nga -40 në 45 gradë Celsius. Pikërisht ky kontrast ekstrem, bashkë me tokën e pasur me oksid hekuri që i jep ngjyrën e kuqe, e bën terrenin gati identik me sipërfaqen e Marsit, përcjell A2 CNN.

 

Sipas drejtuesit të projektit, Enkhtuvshin Doyodkhuu, qëllimi është t’u ofrojë pjesëmarrësve një ndjesi reale mbijetese jashtë planetit. “Duhet të ndihesh sikur je në një planet tjetër. Nëse nuk ndjek protokollin, ‘vdes’ në simulim”, thotë ai.

Përpara se të shkojnë në kamp, pjesëmarrësit do të kalojnë teste fizike, psikologjike dhe mendore, si dhe një trajnim tremujor virtual që përfshin njohuritë bazë të astronautëve: protokollet e oksigjenit, komunikimin me vonesë dhe menaxhimin e izolimit. Pas kësaj, ata udhëtojnë drejt Ulaanbaatarit për disa ditë stërvitje në terren, dorëzojnë telefonat dhe nisen me makinë për një udhëtim 10-orësh drejt kampit në shkretëtirë.

Atje, çdo grup prej gjashtë vetash jeton për një muaj në “habitate marsiane”, module të ndërlidhura me dhoma gjumi, laborator dhe serë për bimë. Çdo ditë fillon me meditim, ushtrime fizike dhe më pas me detyra shkencore, si analiza e dheut, testimi i robotëve apo mbledhja e mostrave gjeologjike.

Ushqimi është pjesë e përvojës: ushqime të thata mongole, si pelte apo mish deleje të dehidratuar që ringjallet me ujë të ngrohtë, një mënyrë për të ruajtur traditën kombëtare, por edhe për t’u afruar me realitetin e astronautëve.

Doyodkhuu thekson se projekti nuk është vetëm argëtim, por edhe një kontribut për kërkimin shkencor ndërkombëtar, pasi simulime të ngjashme janë përdorur nga NASA dhe Agjencia Europiane e Hapësirës.

Nga -40 në 45 gradë Celsius! Marsi në Tokë, vendi me kushte

Kampi pritet të jetë gati për turistët e parë deri në vitin 2029, me një kosto rreth 6000 dollarë për person, përfshirë trajnimin dhe qëndrimin njëmujor në Gobi.