Nga Amerika Latine prostituonin në Shqipëri/ Prokuroria e Elbasanit mbyll hetimet, çon për gjykim 13 persona

0
2

Prokuroria e Elbasanit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq 13 persona, më së shumti nga Amerika Latine, të cilët akuzohen për veprat penale  ‘Prostitucion’ dhe ‘Shfrytëzim prostitucioni’

Hetimet disa mujore zbuluan një rrjet prostitucioni ku shtetase të huaja nga Amerika Latine dhe vende të tjera ishin rekrutuar, transportuar dhe vendosur në Shqipëri për të ushtruar veprimtari prostitucioni kundrejt pagesës.

Në qendër të këtij rrjeti qëndronin dy shtetas  të huaj, të cilët, përmes një skeme të mirëmenduar dhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tjerë, koordinonin aktivitetin e paligjshëm dhe përfitonin nga shërbimet seksuale të ofruara nga gratë e rekrutuara.

Gjatë fazës intensive të hetimeve janë përdorur operacione të simuluara dhe agjentë më mbulim, të cilët mundësuan dokumentimin e qartë të veprimtarisë kriminale. U sekuestruan prova materiale, përfshirë para të shënuara, aparate telefonike, komunikime komprometuese dhe u dokumentuan të gjitha elementet që vërtetojnë strukturën dhe funksionimin e këtij rrjeti kriminal.

Në total u dërguan për gjykim 13 të pandehur, ndër të cilët:

2 organizatorë për veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit” në rrethana cilësuese;

2 shtetas të dyshuar si klientë që kanë përfituar shërbime seksuale kundrejt pagesës;

8 shtetase të huaja, nga Amerika Latine, të akuzuara për ushtrimin e prostitucionit në territorin e Republikës së Shqipërisë; dhe

1 person i përdorur për shfrytëzim.

Veprimtaria kriminale ishte e shtrirë në disa qytete të vendit dhe rrjeti operonte duke shfrytëzuar platforma ndërkombëtare online të prezantimit të eskortave, ku përmes publikimit të fotove dhe tarifave, realizohej kontakti me klientët shqiptarë dhe të huaj.

Prokuroria ka dokumentuar jo vetëm mënyrën e organizimit dhe funksionimit të rrjetit, por edhe lidhjet e ndërsjella të bashkëpunimit mes personave të përfshirë.

Prokuroria e Elbasanit do të vijojë të mbikëqyrë dhe ndjekë me vendosmëri të gjithë hapat e mëtejshëm procedurialë për këtë çështje, me qëllim që të gjithë të përfshirët të mbajnë përgjegjësinë penale për veprimet e tyre.