Mesditën e 23 shtatorit të vitit 2015, rreth orës 11:30 minuta, Tom Mamli, Paulin Mamli, Enrik (Elton) Mamli kanë rrahur dhe goditur me sende të forta Dorjan Mamlin, pasi ky i fundit kishte ndërhyrë për të negociuar konfliktin që kishte Enrik Mamli me Edmond Tafën, djalin e xhaxhait të Naim Tafës (viktima).
Sipas burimeve, konflikti mes tyre kishte nisur në Itali për një borxh prej 250 mijë eurosh që Enrik Mamli kishte pasur ndaj Tafës për hesape prostitucioni. Gjatë sherrit në lokal, i dëmtuar fizikisht mbeti Dorjan Mamli, i cili ishte qëlluar me grushte e mjete të forta nga kushërinjtë e tij. Ndërkohë, kur vëllezërit Mamli po largoheshin me mjetin “Range Rover” me targa AA 481 JT, janë përplasur nga mjeti “Benz” me targa AA 077 CN në të cilin lëviznin Gentjan Elezi, Taulant Bebri (Arjan Tafa) dhe Naim Tafa. Këta persona ishin vënë në dijeni të konfliktit të ndodhur në lokal.
Pas përplasjes së automjeteve, personat që ndodheshin në të dyja makinat kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të njëritjetrit, ku i vdekur mbeti Naim Tafa, 35 vjeç dhe u plagosën Altin Çoku, 30 vjeç; Idriz Tafa, 59 vjeç; Taulant Bebri (Arjan Tafa), 26 vjeç dhe Besim Xhetani 68 vjeç. Në atë kohë policia raportoi se Elez Tafa, Besim Xhetani dhe Altin Çoku kanë qenë kalimtarë të rastit dhe nuk kanë pasur asnjë lidhje me ngjarjen në fjalë.
Pas masakrës, policia arrestoi Enrik Mamlin, Taulant Bebrin (Arjan Tafa) dhe Dorjan Mamlin. Ndërsa, në kërkim u shpallën Tom Mamli (personi që u prangos me vone pas ngjarjes), Paulin (Roland) Mamli dhe Gentjan Elezi (Tafa). Në vendin e ngjarjes u sekuestruan 12 gëzhoja fishekësh të armëve të zjarrit, 11 prej të cilave brenda në makinën e Enrik Mamlit
Kjo makinë u gjet nga policia e braktisur, rreth 300 m larg vendit të ngjarjes në përpjekje për t’u larguar. Gjithashtu, policia sekuestroi një armë zjarri automatik model 56 kalibër 7.62 mm, e përdorur prej Enrik Mamlit.